Tërmeti shkatërrues/ Lleshaj apel qytetarëve të dëmtuar: Zhvendosuni në qendrat e pritjes – Lajmi i Fundit

0
27

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është rikthyer në zonat më të prekura nga tërmeti i 21 shtatorit, ku përfshihen fshatrat Bodinak, Karpen, Karreç dhe Bilalas të bashkisë Shijak. Ai shoqërohej nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme dhe pushtetit lokal, dhe me këtë rast shpërndau disa pako me ushqime dhe veshmbathje për familjet më në nevojë.

Ndihmat e shpërndara janë kontribute vullnetare të Policisë së Shtetit dhe punonjësve të Ministrisë së Brendshme. Me këtë rast, Lleshaj apeloi për familjet që kanë banesat më të dëmtuara, të zhvendosen përkohësisht në qendrat e përkohshme pritëse dhe Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës.
Ministri Lleshaj u shpreh se “pas disa vizitave të para që zhvilluam në disa prej familjeve të prekura rëndë nga tërmeti në zonën e Shijak – Maminas, kemi ardhur bashkë me drejtues të Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme për t’i parë edhe njëherë tjetër, por edhe për të shpërndarë disa ndihma, të cilat u mblodhën në mënyrë vullnetare nga punonjësit e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, me qëllim që të lehtësojmë sadopak dhimbjen dhe problematikën e madhe që ka prekur këta banorë. Sigurisht kjo është një çështje emergjente dhe këto janë ndihma emergjente, por si zgjidhje përfundimtare që duhet të pasojë, ka nevoja të mëdha për evakuim, për një pjesë të familjeve, të cilat janë në shtëpitë e shkatërruara plotësisht si kjo që jemi këtu.Unë ftoj qytetarët, të cilët ndodhen në kushte të tilla, të mundohen të gjejnë mundësi për të bashkëpunuar dhe për t’u evakuuar drejt qendrave të pritjes që kemi krijuar në Durrrës.Unë e di që kanë probleme, kanë bagëti, kanë materiale por më e rëndësishmja nga të gjitha është të garantojmë sigurinë e këtyre qytetarëve. Kështu që u bëj thirrje të gjithë atyre qytetarëve që janë në kushte të ngjashme me këtë familje këtu, të bashkëpunojnë për t’u evakuuar drejt qendrave të pritjes që kemi ndërtuar!”-tha Lleshaj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu