Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të rigjykohet sërish. Gjykata e Shkallës së Dytë nuk mundi të japë as vendim fajësie dhe as pafajësie për Saimir Tahirin, por edhe për ish-kryepolicin Jaeld Çela. Por e riktheu në “shkallën e parë” e cila në muajin shtator 2019 e shpalli fajtor ish-ministrin e Brendshëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës, duke e dënuar me 3.5 vite shërbim prove dhe ndalim të së drejtës për të ushtruar funksione publike.
Procesi gjyqësor ka premisa të kthehet në sagën Saimir Tahiri në rast se palët i drejtohen me rekurs Gjykatës së Lartë. Po sidoqoftë, në të dyja rastet, edhe SPAK edhe pala mbrojtëse, kanë dalë të humbur dhe të fituar, pasi SPAK nuk mori pafajësi për të akuzuarin e vet. Ndërsa pala mbrojtëse e konkretisht Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, nuk u shpallën fajtor pasi në argumentin e shkurtuar të trupës gjyqësore të Gjykatës së Posaçme të Apelit, vlerësohet se Gjykata e Shkallës së Parë ka shkelur dispozitat ligjore në ringritjet e akuzës. Ndërsa prokuroria ka shkelur dispozitat sa i përket atributeve të hetimit. Në këtë pikë çështja duhet të nisë nga zero, siç e cilësoi ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, që pavarësish të gjithave i ftoi të gjithë për ta ndjekur procesin.
Por a zgjodhën gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme që me këtë vendim të ishin neutral, pa shpallur as vendim fajësie dhe as vendim pafajësie. E vërteta është se disa prej tyre ëndërrojnë të jenë gjyqtar të lartë, e ndoshta fakti që kontrolloheshin e vëzhgoheshin, e gjithashtu ishin në dritën e prozhektorëve, mbase iu ka lidhur duart për t’u shprehur e për t’i rënë çekiçit, për një ministër edhe pse quhet kampion, në të vërtetë, pritet të kthehet në një simbol të hetimit dhe gjykimit të institucioneve shqiptare.
Saimir Tahiri: “Në qoftë se ka dhe një njeri të dytë në Republikën e Shqipërisë që zvarritet kështu gjykatave, mua realisht më vjen ndot dhe turp për detyrat që kam mbajtur dhe kontributin që kam dhënë dhe si deputet dhe si gjithçka. Mirë se të vijnë, kushdo. Po e pash të arsyeshme as e çoj ndërmend t’i shkoj më me gjykim të shkurtuar këtij procesi. Me gjykim të zakonshëm, me prova, me dëshmitar, lista punësh, rezultatesh e gjithçka ka. Një gjë është e sigurt që beteja fillon nga e para. Gjykata e Lartë nuk ekziston.
Anila Hoxha: Nuk do t’i drejtoheni Gjykatës së Lartë sepse nuk ekziston, apo nuk e shikoni fare mundësinë për një rekurs si e drejta juaj?
Saimir Tahiri: Mbetet për t’u parë se nuk e kam mendimin në dorë. Nuk kam bërë asnjë lloj kompromisi me askënd në kurriz të asaj që kam besuar unë. Nëse kjo do të më kthehet mbrapsht në këtë mënyrë, mirë se të vijë unë në këmbë do të jem prapë, sido që të jetë. Ja ka vlejtur gjithmonë që të përballem si qytetar dhe jo si ato vemjet përpara që janë përballur si pushtetar. Unë jam përballur si qytetar dhe këmbët e mia më mbajnë dhe pa pushtet.
Burimi: top-channel.tv