Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi këtë të mërkurë (24 qershor) raportin vjetor për terrorizmin në botë.
Në raportin për Shqipërinë thuhet se vendi “vazhdoi mbështetjen e forte për përpjekjet e kundërterrorizmit në 2019 dhe kontribuoi tek Koalicioni Global për të Mposhtur ISIS-in.
“Kërcënimi nga terrorizmi në Shqipëri konsiston tek luftëtarët e huaj që kthehen nga Iraku dhe Siria, radikalizimi nga terrorizim i të rinjve shqiptarë dhe komplotet e Iranit kundër grupit opozitar Mujahedeen-e-Khalq (MEK), anëtarë të të cilit strehohen në Shqipëri”, thuhet në raport.
Po ashtu raporti thotë se organet e rendit i rritën përpjekjet për të kundërvepruar ndaj kërcënimeve terroriste dhe se Njësia Kundër Terrorizmit e Policisë së Shtetit mori pjesë në disa operacione të suksesshme për kapjen e terroristëve ose të dyshuarve për terrorizëm.
Raporti përmend faktin që në tetor policia njoftoi për parandalimin e sulmeve të planifikuara në vitin 2018 nga agjentë iranianë kundër anëtarëve MEK, që jetojnë në Shqipëri.
“Korrupsioni dhe pengesat për ndarjen e informacionit mes agjencive qeveritare, koordinimi i pamjaftueshëm mes asgjencive dhe një sistem gjyqësor i dobët, vazhduan të pengojnë përpjekjet e zbatimit të ligjitt dhe rendit në të gjitha nivelet”, thuhet në raport.
Zbatimi i reformave në sektorin e drejtësisë vazhdon, duke filluar me vetingun e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për korrupsion , paaftësi dhe lidhje me krimin e organizuar, thuhet në raport.
Departamenti i Shtetit thotë se në 2019, Shqipëria miratoi legjislacion për të adresuar shqetësimet lidhur me “efektivitetin e ulët” në drejtim të konfiskimit, hetimit dhe ndjekjen ligjore për financat nga terrorizmi dhe sanksionet financiare (të ngritura nga Komisioni i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave).
“Por zbatimi varet nga masa rregullatore të mëtejshme dhe veprime të qeverisë”, thuhet në raport.
Në raport thuhet se qeveria vazhdon të jetë aktive në programet për të luftuar terrorizmin e dhunshëm.