Këngetarja e njohur kosovare me famë botërore, Rita Ora, ka bërë thirrjen e radhës që kompania Apple të vendosë kufij ndërkombëtar mes Kosovës e Serbisë.
Kjo meqë vija kufitare që ndan të dy vendet në Apple Maps është vizualisht e ndryshme nga ato të përdorura për të ndarë vendet e tjera, duke e treguar Kosovën si pjesë të Serbisë..
Rita Ora këtë thirrje e bëri për herë të dytë që kur edhe dje iu bashkua peticionit që Apple Maps ta vendos në hartë edhe Kosovën si shtet të pavarur.
”Do doja të shihja Apple duke përhapur më shumë njohuri duke vendosur Kosovën në hartë! Shqipëria dhe Kosova janë përplot me talentë të bukur e të jashtëzakonshëm”, shprehet Rita Ora.
Ndërsa ajo shpreh emocionin e saj për krenarinë që ka nga gratë që përfaqësojnë Kosovën e Shqipërinë, Rita Ora përmend edhe këngëtaret tjera shqiptare në këtë kauzë, njofton Klan Kosova.
”Dhe unë jam krenare për të gjitha këto gra të mrekullueshme – të talentuara, të forta të cilat përfaqësojnë trashëgiminë tonë. Ndajmë dashuri, paqe, unitet së bashku me Bebe Rexha, Dua Lipa, Era Istrefi, Dafina Zeqiri, Ava Max dhe shumë e shumë të tjera”, shkruan ajo.