Në vitet e 70-ta dhe të 80-ta ka pasur zhvillime interesante, e shumë herë edhe të pakëndshme por që nuk janë zbuluar në atëkohë.
Në vitet e 70-ta, shqiptarët ishin të penalizuar edhe në sport dhe këtë e ka treguar më së miri ish mbrojtësi prej më të mirëve në vendin tonë, Rexhep Xhaka, që atëkohë luante për skuadrën me renome të futbollit Trepça nga Mitrovica.
Sa ka qenë vështirë të luhet si mysafirë në periudhën tuaj, ka pasur provokime në Republikat ish jugosllave?
Rexhep Xhaka
“Po veç se kishin filluar provokimet ne vitin 1975 edhe ne vetë klubin tone KF Trepça, kujtoj në atë viti pra në vitin 1975 na është kufizuar e drejta e aktivizimit të 2 shqiptarëve në një ndeshje.
Ne lojën me OFK Beogradin ishim vetëm 2 shqiptar unë dhe Hysni Maxhuni dhe në karantinë në Pejë para se të udhëtojmë në Beograd për ndeshje më është kumtuar lajmi se në Beograd duhet të aktivizohet vetëm njeri nga ne, dhe në atë ndeshje unë kam pushuar kurse ne ndeshjen e kthimit Hysniu pati pushuar.
Kurse në ndeshjet si mysafirë normal që ka pas provokime nga më të ndryshme, sidomos në Cetinë”, tha Xhaka për gazetën Kombëtare “Bota sot”.