Një ditë pas vrasjes në një atentat të 34 vjecarit Eri Zefi në fshatin Zall Xhuxhë të Mirditës, policia nuk ka ende asnjë të ndaluar për krimin e rëndë.
Hetimet janë përqëndruar në pistën e gjakmarrjes, për shkak se vëllai i viktimës është aktualisht në burg për një vrasje të ndodhur pak kohë më parë në Durrës.
Hetuesit dyshojne se Eri Zefi, banues në Kurbin, në fillim është marrë peng dhe më pas është vrarë në një fshat të Mirditës. Sipas policisë në vrasjen e 34 vjecarit kanë marrë pjesë disa persona.
Burimet thanë për Vizion Plus se në vendin ku u gjet i pajetë trupi i të riut nga Kurbini janë gjetur shenja që forcojnë dyshimet për vrasje në bashkëpunim.
Autorët janë munduar të mos lejë gjurmë, ndërkohë që në vendin e krimit u gjetën një palë pantofla dhe këpucë.
Gjatë gjithë natës si dhe këtë të enjte janë zhvilluar kontrolle për të gjetur atentatorët, ndërsa janë marrë në pyetje disa persona që dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen.
Por deri më tani, asnjë prej tyre nuk ka dhënë detaje të vlefshme për zbardhjen e krimit.