Ndryshimet kushtetuese, Krasniqi: Ndërkombëtarët kundër, bëhen në devijim nga praktikat demokratike

0
17
Gjigandi

Politologu Afrim Krasniqi analizoi për Euronews Albania nismën e shumicës socialiste për të ndryshuar Kushtetutën, të cilin ai e konsideroi “devijim nga praktikat demokratike, nismë të nxituar” dhe në “paradoks me marrëveshjen e 5 qershorit”.

Krasniqi tha se nisma nuk është shoqëruar me debat publik, opinion të Komisionit të Venecias dhe po ndodh në një situatë pandemie. Ai shfaqi shqetësimin se kjo lëvizje politike po bëhet nga mazhoranca për të testuar ndërkombëtarët dhe për të negociuar në tavolinë çështje të reformës në drejtësi.

“Deri më sot ndryshimet kushtetuese janë shoqëruar gjithmonë me opinion nga Komisioni i Venecias, kjo është hera e parë që nuk do të ndodhë kështu, madje është refuzuar dhe kërkesa për opinion. Gjithmonë ndryshimet janë bërë me kompromis mes partive kryesore, kjo me synimin që ndryshimet të jenë në fuqi për kohë afatgjate, por kjo është hera e parë që nuk ndodh kështu,” – tha Krasniqi, i cili drejton Institutin për Studime Politike (ISP).

Krasniqi e cilësoi si pozitive ndërhyrjen në parim për të rregulluar çështjen e përfaqësimit. Ai tha se sistemi aktual është tejet i mbyllur, jopërfaqësues, jocilësor dhe ku pothuajse shumica e opinionit publik janë kundër, ndaj Krasniqi tha se hapja e listave mund të ishte një nga zgjidhje.

“Koncepti i hapjes së listave meriton lëvdata, por që kjo të bëhet realisht meriton standarde, meriton konsensus dhe rrugë legjitime në mënyrë që gjykatat të mos gjejnë më pas artifica për ta rrëzuar atë, në këtë këndvështrim mund ta shohim si mundësi të humbur për vajtjen drejt listave të hapura,” – tha Krasniqi, i cili shtoi se koncepti i futur në nismën e ndryshimeve ligjore ka vlerë nëse reformohet legjislacioni i partive politike.

Politologu Krasniqi e konsideroi përpjekjen për të ndryshuar Kushtetutën si “një përdorim të saj për nevoja të ditës” në kundërshtim me të gjitha standardet e një vendi demokratik.

I pyetur rreth çështjes së pragut zgjedhor, drejtuesi i ISP-së tha se ai ka vlerë nëse korrigjohet pragu në nivel kombëtar.

“Nëse vendoset të ruhet i njëjti sistem, proporcional rajonal, pragu nuk ka asnjë lloj rëndësie, për sa kohë subjektet nuk kapin pragun rajonal nuk ka vlerë pragu kombëtar, ajo do ishte vlerë nëse do të shkonim në propozimin amerikan për sistem danez ku pragu kombëtar korrekton votën kombëtare që nuk është përfaqësuar. Në zgjedhjet e fundit kemi pasur parti që kanë marrë 20-30 mijë vota dhe nuk janë përfaqësuar në parlament,” – tha Krasniqi teksa e cilësoi “absurd” propozimin për prag 5 për qind nga deputetët e opozitës parlamentare, pasi dëmton partitë e vogla.

Politologu Krasniqi tha se nëse nisma për ndryshimet kushtetuese shkon deri në fund dhe miratohet, atëherë vendi do të ketë një dëm të parikuperueshëm.

“Legjitimiteti i zgjedhjeve do të vihet në diskutim dhe partnerët ndërkombëtarë do të jenë kritikë me qeverinë dhe shtetin shqiptar,” – tha Krasniqi duke këmbëngulur se asnjë nga ndërkombëtarët nuk e ka përkrahur aktualisht ndryshimin e Kushtetutës.

Më tej drejtuesi i ISP-së analizoi edhe draftin e reformës zgjedhore (arritur me marrëveshjen e 5 qershorit), të kaluar sot në Komisionin e Ligjeve.

“Ka një paradoks, sepse nisma për ndryshimet e Kushtetutës miratuar të martën, hiqte koalicionet zgjedhore, ndërsa drafti i kodit zgjedhor miratuar sot në Komision flet në 20 pika për koalicione, pra kanë miratuar dy dokumente krejt të kundërta dhe kjo do të thotë se mazhoranca është duke testuar, nuk ka një vendim përfundimtar, por është duke testuar partnerët ndërkombëtar dhe duke negociuar në tavolinë kredenciale të tjera dhe kërkesa të tjera që lidhen me jetën politike në Shqipëri, unë jam në merak që ata janë duke negociuar çështje të reformës në drejtësi dhe ky do të ishte lajm i keq për Shqipërinë,” – tha më pas Krasniqi.

Njoftime falas, njoftime pune

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu