Ditën e hënë u shënua një tjetër viktimë me COVID-19 mes personelit shëndetësor në Shqipëri.
Në një intervistë për Euronews Albania, mjeku Albert Troci e konsideroi si “përgjegjësi të përbashkët” rezultatin e vdekjeve edhe në radhët e mjekëve.
Sipas Federatës Kombëtare Italiane të Urdhrave të Mjekëve, në Itali kanë vdekur rreth 170 mjekë të prekur nga COVID-19.
Megjithatë Troci, i cili jeton dhe punon prej vitesh atje, e konsideroi ngjashëm, “përgjegjësi e protokolleve që ndiqen”.
“Përgjegjësia është përbashkët, më shumë e protokolleve që duhen ndjekur në mënyrë të rreptë dhe futja e pacientëve në spitale duhet të kalojë kontrolle të rrepta, po kështu edhe personeli shëndetësor, apo mosgrumbullimi në spitale,” – tha Troci, i cili këmbënguli se në këtë situatë përgjegjësia është vështirë për t’iu adresuar.
I pyetur se si e shihte ai situatën që po kalon Shqipëria pasi prej javësh po raportohen vdekje dhe raste në rritje, mjeku Troci e përshkroi atë me shqetësim.
“Po duket sikur Shqipëria po jeton atë që Italia përjetoi në muajin mars, duket sikur është në pikun, sikur Shqipëria nuk pati arritur asnjëherë një pik dhe rastet po rriten në këtë moment,” tha mjeku Albert Troci, duke shtuar se njësoj të njëjtën gjendje po kalojnë dhe vendet e tjera të Ballkanit.
Troci e lidhi valën e re me më shumë të infektuar me protokollet apo masat kufizuese jo të ndjekura mirë.
“Jo se nuk kanë qenë masat dhe protokollet, por ato nuk janë ndjekur si duhet nga institucionet dhe shoqëria, kjo ka si logjikë por duhen prova dhe fakte që ta dokumentojmë këtë gjë,” – tha mjeku shqiptar që tregoi se në Itali tashmë po regjistrohen raste të importuara me COVID-19 ku sipërmarrës që udhëtojnë jashtë infektohen dhe rikthejnë virusin në zona të ndryshme të Italisë.
Troci kritikoi njerëzit publik që nuk mbajnë maska në aktivitetin e tyre dhe nuk ndërgjegjësojnë popullatën për t’i mbajtur ato.
Mjeku shqiptar tha se autoritetet duhet t’i bëjnë të detyrueshme maskat sidomos në qendrat shëndetësore, ku siç tha ai nuk duhet të kthehen kurrësesi vatra infeksioni.
Ai vlerësoi si pozitive dhe tejet të rëndësishme shtimin e tasteve, ku ditët e fundit janë regjistruar rreth 450-500 teste në ditë, një numër shumë herë më i lartë se ai i dy muajve më parë.
“Ne në Itali tashmë po jetojmë fazën e bashkëjetesës, e dimë që virusi ekziston, ndjekim protokollet dhe vatrat, që janë rreth 50 vatra, por që po arrihen të gjurmohen dhe të kontrollohen. Thembra e Akilit mbetet ardhja e rasteve nga jashtë,” – u shpreh Troci për gjendjen në Itali.