Ish-futbollisti i mirënjohur, Ardian Kozniku, i cili jeton dhe vepron në Kroaci, në një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës ka folur rreth situatës nëpër të cilën po kalon futbolli.
Konziku vlerëson se FFK duhet që t’u qëndrojë sa më shumë afër klubeve.
“Nuk mund ta di se si punon FFK nga brenda pasi nuk jam brenda. Mua si sportist dhe si shqiptar, më vjen shumë keq që FFK nuk ka bashkëpunim me klubet. Disa kryetarë të klubeve thonë se jemi ndihmuar nga FFK e disa thonë nuk ju kemi ndihmuar. Dihet si klubet para se të pranohemi në UEFA dhe FIFA e kanë mbajtur gjallë FFK-në. Dëshira ime do të ishte që FFK t’i ndihmonte klubet”, ka thënë Ardian Kozniku në një prononcim.
Kozniku është futbollisti i parë shqiptar, i cili ka marrë pjesë në një kampionat botëror. Ish-sulmuesi i mirënjohur me famë ndërkombëtare e fitoi medaljen e bronztë me Kroacinë në Botërorin e organizuar në Francë në vitin 1998.
Gjakovari Kozniku e ka nisur karrierën te Vëllaznimi i Gjakovës në vitin 1979.