Kryeministri Edi Rama qetësoi qytetarët që të mos kenë ankth dhe frikë nëse pallatet kanë pësuar plasaritje apo çarje vertikale, pasi është tregues se ka funksionuar ‘fuga sizmike’ për atë që është ndërtuar.
“Do të realizohet inventari për plasaritjet që nuk përbëjnë rrezik, por edhe krisjet, të gjithë do të adresohen për riparimet. Por jo cdo çarje vertikale e godinave është negative, por është tregues se ka funksionuar për atë që është ndërtuar. Të qetësohen njerëzit lidhur me qëndrueshmërinë e cdo godine dhe shtëpie në momentin që flasim.
Në rast se nuk ka tërmet më të fortë, ata janë njëlloj si të tjerat, nuk përbëjnë rrezik eminent, as plasaritjet, as të ndarat e dukshme në pallate, nuk ka asnjë problem. Lëkundjet kanë ardhur duke u ulur, kanë qenë të parashikuara, sikur ndodh në cdo tërmet. Janë gjëra të thjeshta, jo shkencë” tha ai.
Por cfarë është fuga sizmike? Ato janë të çara që janë të pozicionuara në hapësirën midis dy objekteve fqinje për të realizuar vazhdimësi funksionale dhe qëndrueshmëri nga ana konstruktive. Ato janë të projektuara për lëvizje sizmike shumë dimensionale.