Një punonjës policie është arrestuar në Kavajë pasi akuzohet për korrupsion.
Punonjësi i Policisë, I.D. dyshohet se duke keqpërdorur atributet që i jep detyra dhe funksioni, ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv”.
Ai i ka kërkuar një shtetasi një shumë prej 4,000 eurosh me qëllim favorizimin për mos arrestim në flagrancë të djalit të tij. I riu kishte kundërshtuar Patrullën e Policisë, duke thyer Aktin Normativ gjatë pandemisë.
Njoftimi i plotë
SPAK dhe SHÇBA, arrestojnë në kushtet e flagrancës 1 punonjës policie me detyrë specialist i Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, për korrupsion.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të SHÇBA Durrës, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Golemi”, në funksion të procedimit penal për veprën penale të “Korrupsionit pasiv“.
Pas një hetimi duke aplikuar metoda speciale të hetimit, drejtuar nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme e punonjësit të Policisë, I.D.
Ai dyshohet se duke keqpërdorur atributet që i jep detyra dhe funksioni, ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv”. Subjekti i këtij procedimi penal, kryente funksionin e specialistit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë.
Gjatë ushtrimit të detyrës, ai i ka kërkuar një shtetasi një shumë prej 4,000 eurosh me qëllim favorizimin për mos arrestim në flagrancë të djalit të tij. I riu kishte kundërshtuar Patrullën e Policisë, duke thyer Aktin Normativ gjatë pandemisë.
Me qëllim ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale nga “Kundërshtim i punonjësit të Policisë” në “Mosbindje ndaj punonjësit të Policisë”, oficeri i Policisë kërkonte shumën e sipërmendur prej një periudhe disa mujore në formë kërcënimi, si duke ushtruar presion në ambientin e biznesit të shtetasit.
Mbi bazën e regjistrimit të procedimit penal, në momentin e shkëmbimit të vlerave monetare të kërkuara nga specialisti i Hetimit të Krimeve, në kushtet e flagrancës, oficerët e Policisë Gjyqësore të SHÇBA-së arrestuan N/Komisarin I.D., si dhe sekuestruan si prova materiale vlerën monetare prej 4 mijë eurosh dhe celularin e tij.