Është finalizuar sot marrëveshja e arritur mes partive politike për Reformën Zgjedhore.
Pas kësaj, opozita e bashkuar kërkon që ky draft të miratohet menjëherë në Parlament, sipas marrëveshjes.
“Sot është përmbyllur kodifikimi me konsensus i Dakordësisë së 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore, duke shënuar një kontribut real të opozitës për plotësimin e 1 nga 15 kushtet për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Opozita e Bashkuar kërkon miratimin pa vonesa të draftit të depozituar zyrtarisht në Kuvend, sipas Marrëveshjes Politike të 14 Janarit”.
Koalicioni opozitar i drejtohet Qeverisë që të heqë dorë nga manovrat politike, dhe të miratojë këtë reformë.
“Qeveria duhet t’i përmbahet angazhimit për miratimin e Reformës Zgjedhore pa asnjë ndryshim, duke hequr dorë nga manovrat apo provokimet, që do të minonin konsensusin e arritur midis forcave politike.
Zbatimi sa më parë i ndryshimeve ligjore do të mundësonte jetësimin e garancive shtesë, përfshirë fillimin nga puna sa më parë të KQZ për implementimin e identifikimit biometrik. Opozita e Bashkuar falenderon edhe njëherë partnerët ndërkombëtarë për ndihëm e çmuar që kanë dhënë gjatë procesit dhe për nxitjen e palëve politike drejt këtij konsensusi që i hap rrugë zgjedhjeve”, thuhet në deklaratën e përbashkët.