Në lidhje me vendimin e Turqisë për të kthyer në xhami Kishën e Urtësisë së Perëndisë (Shën Sofinë), Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasi deklaroi se ky vendim bën pjesë në ato veprime tragjike, të cilat minojnë shpresën më të madhe të epokës sonë, që është bashkekzistenca e feve dhe qytetërimeve.
“Ky vendim na kthen pas, në aspekte të errëta të historisë. Një vend si Turqia, që dëshiron të jetë pararojë, zgjedh rolin e praparojës së vonuar kulturore. Është mëkat edhe gabim kur vaji i fesë përdoret për të ndezur dhe për t’i shërbyer qëllimeve nacionaliste. Qëllimi fisnik i fesë është të qetësojë plagët dhe të paqësojë shpirtrat e njerëzve.”