Gjykata e Kurbinit ka ndryshuar masën e sigurisë për Kreshnik Tushën, saktësisht nga arrest me burg në arrest shtëpiak.
Tusha u arrestua për vrasjet e Laçit, por ndonëse policia mundi të kapte autorët e vërtetë të ngjarjes, i riu vazhdonte të qëndronte në burg. 22-vjeçari Kreshnik Tusha u mbajt në qeli fillimisht për faj të rastësisë, pasi mbrëmjen e krimit u dërgua në spital i plagosur në rrethana të tjera.
“Më thanë do të lëmë arrest me burg, sa të vijë urdhri i dytë. Unë s’di ç’po ndodh, a e arrestuan autorin, më kanë harruar ne burg, s’kam avokat, s’kam marrë, s’kam mundësi ekonomike”, u shpreh Kreshnik Tusha për Top Channel.
Ndërkohë policia është bindur se njeriu që u plagos gjatë atentatit të biznesmenëve është Eduart Lamaj dhe jo Tusha.
Eduart Lamaj pranoi se është personi që shfaqet në kamerat e sigurisë, teksa hyn i maskuar si polic, qëllon me breshëri dhe plagos këmbën. Lamaj qëlloi për vdekje Bujar Likën dhe Paulin Gjergjin.
Kamerat e sekuestruara tregojnë se pas atentatit, Lamaj nxirret i plagosur nga bashkëpunëtorët, për t’u arrestuar 23 ditë me vonesë, në një kohë që autoritetet pretendonin se e kishin arrestuar njeriun që shfaqej në kamera. Eduart Lamaj tregoi edhe emrat e ndihmësve, të quajtur Ilir Lika, Klaudio Pepkola dhe Olti Vlashi.