Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e ka kujtuar Fadil Vokrrin, në dyvjetorin e vdekjes së tij, si personin që i jepte shpresë për një Kosovë më të mirë, më të lirë e më të pavarur falë sukseseve të tij.
Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Në dyvjetorin e vdekjes së tij janë bërë homazhe te varri i tij, ndërsa në mesin e figurave të shumta që vendosën kurora lulesh te varri i legjendës së futbollit ishte edhe ministrja Vlora Dumoshi, e cila më vonë e kujtoi Vokrrin edhe përmes një postimi në Facebook.
“Në dy vjetorin e vdekjes së ikonës së futbollit, Fadil Vokrri kemi bërë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së tij. Paraqitja e Fadilit në fushën e futbollit në kohët e vështira për popullin e Kosovës ishte krenari dhe frymëzim për çdonjërin prej nesh”, shkroi Dumoshi në Facebook.
“Kanë qenë gjithmonë momente krenarie për ne si gjeneratë që jemi rritur me të. Sa herë që ai ka pasur sukses, ne jemi gëzuar dhe kemi rritur shpresën për një Kosovë më të mirë, të lirë e të pavarur”.
“Kosova lindi dhe rriti një sportist të rrallë siç ishte Vokrri. Ai do të mbetet shembull i gjeneratave dhe i çdo sportisti që synon majat e futbolli”.
“Fadili dha kontribut të jashtëzakonshëm në promovimin e sportit kosovar në arenën ndërkombëtare. Angazhimi i tij në këtë proces rezultoi edhe me pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA si një kurorëzim me medalje të artë, siç edhe ka qenë vet Fadili, gjithmonë i artë.”
“I përjetshëm qoftë kujtimi për legjendën e futbollit, Fadil Vokrri!”