Më 23 dhjetor të vitit 2018 ka ndërruar jetë një 43-vjeçar në spitalin e Fierit. Viktima është Besnik Rama dhe familjarët e tij akuzojnë se ai nuk ka marrë mjekimin e duhur.
E teksa po bëhen dy vite nga kjo ngjarje e rëndë, familjarët ende kërkojnë që të zbardhet e vërteta e vdekjes së djalit të tyre.
Ditën e sotme prindërit e Besnikut, Drita dhe Bajram Rama, ishin në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live”, ku u shprehën se i biri ka ndërruar jetë për neglizhencë të mjekut. Ata kërkonin që të zbardhej ngjarja siç është dhe të vihet drejtësia.
“Unë e takova në darkë dhe ishte shumë mirë. Në mëngjes më merr nusja në telefon dhe më thotë se ishte në spital me Besnikun. Kishte patur të vjella, ai vuante nga diabeti”, tregon nëna e viktimës.
Ajo shton se mjeku ka ardhur vonë dhe se rrinte me duart në xhepa dhe nuk kujdesej për të sëmurin. “Doktori ka shkuar 10 minuta para nesh dhe nuk e kishte veshur uniformën. I shkoja me shumë qetësi dhe i kërkoja ndihmë, por ai më thoshte ‘ke llafe shumë’”.
Të pyetur nëse e dinin se Besniku ishte me diabet, prindërit u shprehën se po, pasi ka qenë edhe më parë i shtruar dhe se kishte të hapur kartelë.
Ndërkohë Bajrami ka shtuar se i kanë kërkuar mjekut që ta nisnin për Tiranë, pasi ata nuk po merreshin me të dhe nuk jepnin asnjë informacion.
“Kardiologu më mori dhe më tha që të firmosja dokumente, ku thoshte se nëse i ndodhte gjë djalit rrugës për në Tiranë është përgjegjësi e imja. Në ambulancë nuk erdhi fare mjeku, djali vdiq gjatë rrugës. Kur u kthyem në spital nuk ishte asnjë mjek aty. Më kanë dërguar policinë, më thanë të bëja denoncimin, por nuk e kisha mendjen për ta bërë. Asnjë nga mjekët në spital nuk na dhanë asnjë arsye se pse vdiq djali”, tha Bajrami i cili edhe njëherë kërkoi që drejtësia të shkonte në vend dhe të kuptohej se pse vdiq djali i tij.