Demokratët në debatin presidencial flasin për politikën e jashtme, klimën

0
11

Hetimet që mund të çojnë në proces për shkarkimin e mundshëm të presidentit Donald Trump lidhur me pretendimet se i bëri trysni Ukrainës ishte çështja numër një në Washingotn të mërkurën dhe tema kryesore e debatit të kandidatëve demokrat për zgjedhjet e vitit 2020 që u mbajt në Atlanta.

Pjesëmarrësit në debat ishin të njëzëshëm në përkrahjen e hetimeve dhe kundërshtimin e presidentit, të cilin secili e sheh si rival në zgjedhjet që do të mbahen pas një viti.

Kjo frymë përshkoi pjesën më të madhe të debatit dhe kandidatët shpenzuan më pak kohë sesa në debatet e mëparshme duke kritikuar njëri tjetrin, ndërsa nënvizuan qëndrimet politike për të cilat ata kryesisht pajtohen.

Senatori Bernie Sanders, e cilësoi presidentin Trump, mbase presidentin më të korruptuar në historinë bashkëkohore amerikane, por tërhoqi vërejtjen se kundërshtimi ndaj presidentit Trump nuk mund të jetë çështja e vetme në përpjekjet për ta mundur atë në zgjedhje. Ai vuri theksin te sfidat ekonomike me të cilat përballen ata që nuk kanë sigurim shëndetësor ose strehim, dhe “krizën ekzistenciale” që paraqesin ndryshimet klimatike, ndërsa tha se qeveria mund të marrë përsipër të dyja këto dhe të hetojë presidentin Trump.

Senatorja Elizabeth Warren, përmendi hetimin e mëparshëm nga prokurori i posaçëm Robert Mueller, lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale në vitin 2016 dhe nëse presidenti Trump kërkoi të pengojë hetimin. Zonja Warren tha se mungesa e veprimeve të kongresit në atë çështje e nxiti presidentin Trump drejt skandalit aktual, në të cilin ai po përballet me pretendimet se kërkoi të ushtrojë trysni ndaj Ukrainës për të hetuar ish nënpresidentin Joe Biden, rivalin kryesor politik.

Zoti Biden tha se nëse zgjidhet president, nuk do të ndërhyjë te Departamenti i Drejtësisë në shqyrtimin nëse presidenti Trump duhet të hetohet për ndonjë veprim penal, një vendim që duhet të jetë përcaktim i pavarur i prokurorit të përgjithshëm. Zoti Biden theksoi po ashtu nevojën për “kthim në qytetari” dhe bashkimin e vendit, ndërsa refuzoi thirrjet e turmave “burgoseni atë” duke ju referuar presidentit Trump.

Senatori Cory Booker, mbështeti po ashtu idenë që presidenti i ardhshëm të jetë dikush që do ta bashkojë kombin, por jo që kjo të ishte njëfarë çasti i këndshëm për qytetarët amerikanë, por që të punohet së bashku për të arritur “gjëra të mëdha”.

Image

Kandidatët kritikuan qasjen e presidentit Trump në politikën e jashtme si largim nga aleatët tradicional dhe veprim si një partner jo i besueshëm.

Zoti Biden tha se si president, ai do të sigurohej që Shtetet e Bashkuara do të kenë aleancat që kishin para se Trumpi të bëhej president, përfshirë edhe marrëveshjen e Parisit për klimën. Ai i cilësoi ndryshimet klimatike si “kërcënimin ekzistencial numër një në botë”.

Senatorja Kamala Harris kritikoi takimet e presidentit Trump me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, duke thënë se udhëheqësi amerikan “u gjet i tallur” dhe “shkëmbeu fotografinë për asgjë”.

Image

Ndërkohë, kryetari i bashkisë South Bend të Indianas, Pete Buttigieg, kritikoi ligjvënësen Tulsi Gabbard për takimin me diktatorin “vrastar” Bashar al-Asad gjatë një udhëtimi në Sirinë e shkatërruar nga lufta në vitin 2017. Zonja Gabbard u përgjigj se zotit Buttigieg “i mungon guximi” për t’u ulur me armiqtë e Shteteve të Bashkuara dhe për të kërkuar “pikat e përbashkëta”.

I pyetur se çfarë do të thoshte në telefonatën e parë me presidentin rus, Vladimir Putin, sipërmarrësi Andrew Yang tha se do t’i thoshte Putinit që ditët e ndërhyrjes në politikën amerikane kanë perënduar dhe se administrata e tij do ta konsideronte çdo përpjekje për të ndërhyrë si “një akt agresioni”.

Gjatë debatit pari edhe një mbështetje të gjerë për ta shndërruar në përparësi të politikës amerikane trajtimin e ndryshimeve të klimës.

Zoti Buttigieg dhe zonja Gabbard u pajtuan për të mbështetur reformimin e industrisë amerikane të bujqësisë si një pjesë thelbësore në luftën kundër ndryshimit të klimës,

Image

Miliarderi Tom Steyer paraqiti veten kandidatin më të përqendruar në çështjen e klimës, duke thënë se ai do të përdorë fuqinë e presidencës për të shpallur një “gjendje të jashtëzakonshme që ditën e parë” në detyrë.

Deri tani Joe Biden, Elizabeth Warren and Bernie Sanders, janë veçuar si kryesues në anketat kombëtare lidhur me garën e demokratëve.

Anketat e fundit në Iowa dhe New Hampshire, përfshijnë në këtë grup edhe zotin Buttigieg, kandidati më i ri që është 37 vjeç.

Debati i ardhshëm i demokratëve, i gjashti me radhë, do të mbahet më 19 dhjetor në Los Angeles./Voa/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu