Benjamin Netanjahu: Nuk ka vend për të dobëtit

0
15

I ati dikur e ka nënvlerësuar, sot ai është kryeministri më jetëgjatë i Izraelit. Benjamin Netanjahun e ka ndihmuar instikti i pushtetit e koalicionet e djathta. Një portret i kryeministrit të akuzuar nga drejtësia.

“Për të dobëtit nuk ka vend. Të dobëtit bien, goditen dhe fshihen nga historia, në një kohë që të fortit, mirë a keq mbijetojnë”, është shprehur Netanjahu në një fjalim vitin e kaluar në një qendër izraelite të studimeve nukleare. Netanjahu do të bëjë pjesë tek të fortit. Gjithmonë. „Mbreti Bibi”, kështu thirret ai, monarku, burri i fortë i Izraelit, një imazh i cili i pëlqen Netanjahut, e që e ushqen prej dekadash.

I nënvlerësuar nga i ati

Por nuk ka qenë kështu në fëmijërinë e tij. Producenti i filmit, Dan Shadur thotë se „Benjamin Netanjahi ishte një zgjidhje nga nevoja, ai kurrë nuk e ka pasur vlerësimin e të atit.” Shadur është marrë prej vitesh me figurën e Netanjahut, në pranverë ai publikoi filmin dokumentar, „Mbreti Bibi.” Babai, Benzion Netanjahu ka qenë profesor për historinë hebraike dhe një cionist radikal, që angazhohej për Izraelin e Madh dhe në një intervistë ka thënë: „Tendenca për grindje është në natyrën arabe. Ai është armiku i lindur. Personaliteti i tij nuk i lejon kompromise. Arabi gjendet në modusin e luftës së vazhdueshme.”

Kur Izraeli në vitet 60-të e 70-të qeveriset nga të majtët, familja ndjehet e izoluar dhe largohet në SHBA. Netanjahu rritet në shtetin federal të Pensilvanisë, studion dhe punon si konsulent firmash. Ai ka dy vëllezër. Jonathan, më i madhi, të cilin babai e kishte parashikuar si liderin e ardhshëm të Izraelit, por ai vritet në operacionin e shpëtimit të pengjeve izraelite në Entebe, ish-kryeqytetin e Ugandës. Sot ai konsiderohet në Izrael si hero. Pas vrasjes së të vëllait, Benjamin Netanjahu angazhohet publikisht, në vitin 1980 si përfaqësues i përhershëm i Izraelit në Kombet e Bashkuara, deri në vitin 1988, kur kthehet në Izrael, si një njeri elokuent, që e njeh botën, karizmatik dhe me humor. Një njeri që flet anglisht pa akcent, dhe një tip i ri politikani.

Kryeministri më i ri në histori

Benjamin Netanjahu hyn në parlament si deputet i partisë së djathtë konservatore, Likud dhe zgjidhet zëvendësministër i Jashtëm. Kur kryeministri Izhak Rabin, bashkë-arkitekti i marrëveshjeve të paqes në Oslo, 1995 vritet në një miting në Tel Aviv nga një fanatik i djathtë hebre, dhuna mes Izraelit dhe palestinezëve shkallëzohet. Netanjahu akuzon kryeministrin pas Rabinit, Shimon Peres, se nuk po e ndal dot dhunën, dhe në zgjedhjet e vitit 1996 partia e tij fiton. Këtë vit Netanjahu zgjidhet kryeministër, më i riu në historinë e Izraelit. Në këtë kohë ai është i martuar për herë të tretë, gruaja e tij Sara është gjobitur tani me 14.000 dollarë për shpëdorim të arkës së shtetit.

Kthesë gjithmonë e më djathtas

Në vitin 1999, Netanjahu nuk mund të mbrojë postin. Të djathtët e akuzojnë, se ka bërë shumë kompromise në marrëveshjet e Oslos e që atëherë ka pasur akuza për korrupsion kundër Netanjahut. Dhjetë vite më vonë, Netanjahu ringjitet në krye të vendit, ai zgjidhet sërish kryeministër. Fjalimi i tij në vitin 2009 në Universitetin Bar-Ilan shihet si një revolucion i vogël. Për herë të parë dhe të fundit, Netanjahu, përfaqësuesi i vijës së ashpër, përkrah perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete, me një shtet palestinez të çmilitarizuar.

Por në vend që të angazhohet për këtë, në vitet e ardhshme ai ndjek një politikë tejet të djathtë. Këtu luajtën rol edhe përplasjet e mëdha me Hamasin, që sundon në Gaza. Peter Lintl, ekspert i Izraelit në fondacionin „Shkenca dhe politika”, thotë se „ata e kanë ndryshuar në mënyrë dramatike opinionin publik në Izrael.” Për shumicën e izraelitëve, tërheqja nga Gaza bëri që të nxirrej mësimi: Nëse tërhiqemi, atëherë jemi në shënjestër. Kjo do të thoshte, që Izraeli nuk do të tërhiqet nga Jordani Perëndimor, „ me këtë për të djathtët u hoq nga tryeza zgjidhja me dy shtete.”, thotë Litl.

Edhe kryeministri, Netanjahu ndjek një kurs gjithnjë e më djathtas. Në vitin 2015 ai rizgjidhet kryeministër, dhe krijon një koalicion vetëm me partitë e djathta, qeveria më e djathtë që ka pasur ndonjëherë Izraeli. Kërkesa të reja vijnë. „Në katër vitet e fundit, ideja e aneksimit të Jordanit Perëndimor nga një temë anësore, kalon në qendër. Netanjahu duhet të japë një përgjigje për këtë”, thotë eksperti Litl. Vërtet që Netnajahu nuk e fut në programin e partisë qëllimin për aneksim, por ka deklaruar, se në rast të rizgjedhjes së tij, ai do të aneksojë, Jordanin Perëndimor, ku jetojnë 60.000 palestinezë.

Me këtë ndryshim kursi, Netanjahu synon të fitojë më shumë vota nga kampi i djathtë.

Vitet e kaluara, edhe në arenën ndërkombëtare, Netanjahu e kërkoi kontaktin me populistët. Këtu bëjnë pjesë, Jair Bolsonaro në Brazil, Viktor Orban në Hungari, apo miku i tij i ngushtë, Donald Trump, që me vendimin për të kaluar ambasadën amerikane në Jeruzalem i plotësoi mikut të tij një dëshirë të madhe.

Netanjahu e sheh veten si viktimë të medias

Hetimet për korrupsion kundër Benjamin Netanjahut dhe ngritja e akuzës për mashtrim, korrupsion dhe shpërdorim është për Netanjahun vetëm një „gjueti shtrigash” e ngritur nga media dhe forcat e majta. Ai e sheh veten viktimë, një njeri që sulmohet e kërcënohet. Intervista Netanjahu jep shumë rrallë. Ai përdor platformat mediatike për të shpërndarë aty informacionet, që janë për të relevante dhe të dobishme. „Të fortit, mirë a keq, mbijetojnë”, tha ai para një viti. Tani atë e kërcënon një dënim me burgim dhe nga ana politike shenjat janë për stuhi. Nëse i forti „mbreti Bibi”, do të mbijetojë, kjo mbetet të shihet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu