Basha letër bankave: Mos financoni PPP-të që pastrojnë para të drogës, do t’i anullojmë! – Lajmi i Fundit – Lajme

0
Gjigandi

Kryetari i PD, Lulzim Basha, i ka dërguar një letër të gjitha bankave që operojnë në Shqipëri dhe Guvernatorit të BSH, Gent Sejko duke shprehur shqetësimin e opozitës se po pastrohen shuma të mëdha parash nëpërmjet aktiviteteve të licensuara apo të kontrolluara nga sektori publik.
Kreu i opozitës thekson se nga aktiviteti i paligjshëm i prodhimit të drogës dhe trafikimit të saj nga Shqipëria, gjatë këtyre viteve të fundit, janë prodhuar miliarda euro, një pjesë e të cilave, sipas tij janë përdorur për të korruptuar qeveritarë dhe punonjës publikë me qëllim pastrimin e parave të përfituara nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike apo/dhe korrupsioni.

Më tej, në këtë letër, Basha shton se sektori bankar është më i ekspozuari nga bashkëpunimi mes qeveritarëve të korruptuar me disa kompani që po përdorin sektorin e ndërtimit për të pastruar paratë e fituara nga aktivitetet e paligjshme.
“Disa kompani kanë marrë leje ndërtimi dhe kontrata publike në nivele të tilla që nuk justifikohen as nga eksperiencat e tyre dhe as nga mundësitë financiare që ato kanë. Të dyja kontratat publike Milot-Balldren dhe Orikum – Dukat, haptazi, cënojnë interesin publik dhe dëmtojnë në mënyrë të rëndë interesat financiare të shtetit shqiptar, duke u siguruar përfitime të padrejta zyrtarëve të korruptuar dhe kompanive private”- thuhet në letrën e kreut të opozitës për bankat e nivelit të dytë,
“Nga vlerësimi i kapaciteteve financiare dhe teknike të kompanive private, të përfshira në këto dy projekte, rezulton se ato nuk kanë mundësi për t’i përfunduar projektet me mjetet e tyre dhe, për pasojë, parashikohet marrja e kredive bankare. Mirëpo, këto kompani nuk kanë mundësinë reale për të kthyer kredinë që do të kërkojnë nga ju, pas momentit të anullimit të financimit të paligjshëm shtetëror, që kanë përfituar si pasojë e veprimeve korruptive.”
Lideri i opozitës shprehet se e vlerëson të arsyeshme të informojë çdo bankë për fatin e këtyre dy projekteve korruptive.
“Duke përfituar nga ky rast, ju kërkojmë zyrtarisht që të vlerësoni me seriozitet informacionin e përcjellë. Ne shprehim besimin e plotë që ju do të distancoheni dhe nuk do të bëheni palë në akte që provojnë mbështetjen ndaj projekteve korruptive dhe që cënojnë interesin publik.”- theksohet në letrën e zotit Basha.
Ai shton se projekti i PD ka per qellim goditjen e korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave sapo të marrë votëbesimin e qytetarëve për të qeverisur vendin.
Basha shprehet se financimi i të tilla projekteve, që kanë si qëllim pastrimin e parave të trafiqeve dhe korrupsionit, jo vetëm që s’duhet të lejohet, por do të përbënte dhe kriminalizimin e atij personi apo institucioni që ka bashkëpunuar në këtë drejtim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu