Adriana Matoshi tashmë e dëshmuar në shumë role dhe e shpërblyer për shumë prej tyre, ditën e sotme (e hënë) ka rrëmbyer edhe një çmim tjetër.
Në bazë të njoftimeve në rrjetet sociale, artistja nga Gjilani u shpërblye me çmimin si aktorja më e mirë në Festivalin e Francës “See A Paris”.
Adriana mori këtë çmim për rolin e saj në filmin “Cold November” apo në shqip “Nëntori i Ftohtë” me regji të Ismet Sijarinës.
Ky film paraqet një ngjarje që zhvillohet në fillim të viteve 90-të në kohën e Qeverisë Jugosllave, e cila e anuloi autonominë e Kosovës, shpërndau parlamentin dhe mbylli Televizionin Publik të Kosovës.
“Nëntori i Ftohtë” është produksion i shtëpive filmike “Thumbs Up” dhe “Buka” në bashkëprodhim me Albasky Film, Audiohaus dhe Ikonë.
Ndërkaq, në rolet kryesore paraqiten aktorët: Kushtrim Hoxha, Fatmir Spahiu, Adriana Matoshi, Emir Hadzihafizbegoviq, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli.
Për skenarin e filmit janë përkujdesur Arian Krasniqi dhe Ismet Sijarina.