Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit ka marrë në dorëzim ndihmat e ardhura nga 14 vende të Bashkimit Europian dhe 2 vende joanëtare, për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti i 21 Shtatorit. Në një ceremoni të veçante, ku ishin të pranishëm ambasador të këtyre vendeve, ministria e Mbrojtjes Olta Xhaçka foli për ndërtesat e dëmtuara.
“Të gjitha godinat e shembura do të rindërtohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për emergjencat civile, por edhe nga fondi i solidaritetit që tashmë është ngritur. Ndërsa rindërtimi është sfida afatshkurtër, për t’ua lehtësuar sa më shumë situatën këtyre familjeve.”
Marrja e masave për të përballuar situatat e ngjarjet që mund të vijnë si pasojë e fatkeqësive natyrore mbetet sfida e radhës sipas Xhaçkës.
“Anëtarësimi në Qendrën Evropiane për Koordinimin e Përgjigjes ndaj Emergjencave do të jetë vula e suksesit të kësaj pune që ne e kemi marrë shumë seriozisht, jo sepse është thjesht reforma e radhës, por sepse ka një ndikim të drejtpërdrejtë tek siguria, tek jeta dhe shëndeti i qytetarëve shqiptarë.”
Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, nënvizoi gatishmërinë e vendeve për t’ju përgjigjur menjëherë nevojës për ndihmë.
“Ne jemi krenarë për efikasitetin e mekanizmit tonë të BE për Mbrojtjen Civile. U deshën vetëm disa ditë pas aktivizimit të saj për të ngritur një ekip prej 8 ekspertësh dhe për ta dërguar atë në Shqipëri. Solidariteti është në zemër të Bashkimit Evropian.”
Ndihmat përbëhen kryesisht nga pajisje e mjete për strehim të shpejtë dhe të përkohshëm, si dhe ekspertizë përmes specialistëve europianë të Emergjencave Civile.