13 gra të prekura me COVID-19 lindën fëmijë në Kosovë

0
Gjigandi

Sikur në pjesën më të madhe të vendeve të Evropës e botës edhe në Kosovë që nga 13 marsi kur edhe u regjistrua rasti i parë me koronavirus janë infektuar 5.617 persona. Në mesin e këtyre të prekurve me Covid-19, ka pasur e ka persona nga të gjithë moshat e gjinitë. Madje u infektuan edhe disa gra lehona të cilat sollën në jetë fëmijët e tyre.

Pandemia e koronavirusit nuk ka kursyer as gratë shtatzëna të cilat me shumë ankth dhe frikë u janë drejtuar spitaleve për të sjellë në jetë fëmijët e tyre.

Që nga konfirmimi i rastit të parë me Covid-19 në vendin tonë e deri më tani, janë 13 gra shtatzëna që kanë rezultuar të infektuara e që kanë kryer lindjet në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

Media ka marrë të dhënë nga QKUK, respektivisht nga Klinika Gjinekologjike e Kosovës.

Drejtori i kësaj Klinike, Jakup Ismajli ka pohuar se në këtë repart janë trajtuar gjithsej 13 nëna që kanë qenë të infektuara me koronavirus, ku 8 prej tyre kanë kryer lindje me prerje cezariane dhe 5 të tjera me lindje normale.

RonaTyra

“Nga 13 marsi deri sot janë kryer 13 lindje nga gra që kanë qenë pozitive me Covid-19. Prej tyre 8 me prerje cezariane dhe 5 lindje normale. Ndërsa nesër është në program edhe një lindje me prerje cezariane”, ka thënë Ismajli.

Drejtori i Gjinekologjisë tregon se pasi nënat kanë qenë me Covid-19 pas lindjeve janë testuar edhe fëmijët, por që fatmirësisht ata nuk kanë rezultuar pozitivë.

“Mund të konfirmojmë se nga fëmijët e testuar pas lindjeve në KOGJ nuk ka rezultuar asnjë fëmijë me Covid-19”, ka thënë ai.

Ndryshe në Kosovë nga muaji 1 marsi i këtij viti e deri më 30 qershor, në Klinikën Gjinekologjike të QKUK-së, janë kryer 2 mijë e 963 lindje.

Nga numri i përgjithshëm i lindjeve, 1 mijë e 954 janë meshkuj, kurse 1 mijë e 439 femra.

E të dhënat e publikuara më parë tregojnë se gjatë tërë vitit 2019 janë kryer 9 mijë e 461 lindje. Nga ky numër 3 mijë e 344 janë kryer me prerje cezariane dhe 6 mijë e 253 lindje normale.

Tutje viti i kaluar është cilësuar si vit i rënieve të lindjeve. Lindjet në Kosovë po shënojnë rënie nga viti në vit. Faktorë të ndryshëm, siç është planifikimi familjar, kushtet e rënda ekonomike, por edhe ikja e të rinjve jashtë vendit, janë vetëm disa nga arsyet që kanë ndikuar në rënien goxha të madhe të natalitetit.

Ndryshe Kosova numëron 7 spitale të përgjithshme, në të cilat kryhen thuajse të gjitha shërbimet sikurse në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Këto janë qytetet e mëdha, si Prizreni, Ferizaj, Gjakova, Gjilani, Peja, Mitrovica dhe Vushtrria, por ka edhe në qytete tjera.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu