Yovanovich: DASH nuk më mbrojti nga sulmet e presidentit

0
Gjigandi

Ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë Marie Yovanovich i tha Kongresit se sulmet që e kanë origjinën te interesat korruptive kanë krijuar një krizë në Departamentin e Shtetit.

Yovanovich u tha ligjvënësve se ajo ishte viktimë e ”fushatës së dezinformimit” ku u përdorën “kanale të pasme jozyrtare” që çuan në largimin e saj nga Ukraina. Ajo tha se “vazhdon të jetë e habitur” për faktin që pati amerikanë, të cilët bënë partneritet me “disa ukrainas të cilët preferuan të luanin sipas rregullave të vjetra korruptive” në përpjekjet për largimin e saj.

Yovanovich dha gjithashtu alarmin se zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit nuk e mbrojtën nga sulmet e aleatëve të presidentit, përfshirë ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut Rudy Giuliani.

“U ndjeva shumë keq kur dëgjova se Presidenti kishte humbur besimin tek unë,” tha ajo. Ajo foli para ligjvënësve për një “krizë në Departamentin e Shtetit”.

Dhoma e Përfaqësuesve dëgjoi të premten një dëshmitare të vetme në seancën e dytë publike për hetimin e Presidentit Donald Trump.

RonaTyra

Ajo ishte Marie Yovanovitch, ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, e cila u vu në shënjestër të aleatëve të presidentit në një fushatë “njollosjeje” që tani është në qendër të hetimit.

Ndërkohë që zonja Yovanovitch po dëshmonte, Presidenti Trump e sulmoi atë në Twitter, duke thënë se kudo që ajo ka shërbyer, punët kanë shkuar keq. Ish-Ambasadorja u përgjigj se fjalët e presidentit tingëllonin kërcënuese.

Diplomatja e karrierës, u ka shërbyer si presidentëve republikanë, ashtu edhe atyre demokratë.

Ajo dhe zyrtarë të tjerë që po dëshmojnë publikisht në seancat historike të Dhomës së Përfaqësuesve, po japin versionet e tyre të ngjarjeve, ku demokratët po mbështeten për të ngritur argumentin se sjellja e presidentit është e pafalshme.

Adam Schiff, kryetari demokrat i Komisionit të Inteligjencës, vlerësoi zonjën Yovanovitch, duke thënë se ajo u tregua “tepër e ashpër ndaj korrupsionit për disa, dhe qëndrimi i saj parimor i krijoi asaj armiq.”

U bë e qartë se “Presidenti Trump donte që ajo të linte postin,” tha ai.

Numri dy i komisionit, republikani Devin Nunes i Kalifornisë, u ankua se seancat dëgjimore ishin një “shfaqje televizive që zgjaste tërë ditën”.

Ai u ankua se demokratët po mbështeten në dëshmi të formës së thashethemeve, nga dëshmitarë që kanë informacion për veprimet e zotit Trump vetëm nga burime të dorës së dytë. Ai bëri gjithashtu presion që komisioni të dëgjojë dëshmi edhe nga një informator anonim, i cili paralajmëroi për herë të parë zyrtarët në lidhje me thirrjen telefonike të Presidentit Donald Trump me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në muajin korrik, që është në qendër të hetimeve.

“Këto dëshmi nuk duhet të bëheshin fare,” tha ai.

Me hapjen e seancave dëgjimore të premten, Shtëpia e Bardhë publikoi një transkriptim të përafërt të një telefonate të mëparshme që zoti Trump kishte patur me Presidentin e Ukrainës dhe që ishte kryesisht urim me rastin e zgjedhjes së Zelenskiy-t.

Zonja Yovanovitch dhe diplomatë të tjerë kanë thënë se Rudy Giuliani, avokati personal i Presidentit Trump, ishte njeriu që drejtonte atë që ata e quajnë ‘kanal të parregullt’ jashtë rrjedhës diplomatike të marrëdhënieve SHBA-Ukrainë.

DEMOKRATËT DHE REPUBLIKANËT FORCOJNË MESAZHET

Në ditën e dytë të seancave historike për të shqyrtuar shkarkimin e presidentit të 45-të të SHBA, demokratët dhe republikanët forcuan mesazhet e tyre për votuesit ndërsa përpiqen të bëjnë për vete opinionin publik.

Amerikanët janë të pozicionuar thellë në dy kampe në lidhje me hetimin për shkarkimin e Presidentit.

Kjo ka rezultuar në një betejë politike në rritje që do të verë në provë vendin në një nga epokat më polarizuese të kohëve moderne.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi të enjten preferoi të përdorte një fjalë më popullore, “rryshfet” për të përshkruar veprimet e zotit Trump, në vend të frazës latine “quid pro quo” (më jep të jap) që demokratët kanë përdorur rëndom deri tani.

“Quid pro quo: rryshfeti”, tha zonja Pelosi për thirrjen telefonike të Presidentit Trump më 25 korrik, në të cilën ai i kërkoi Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy një favor.

Presidenti Trump thotë se telefonata ishte e përsosur.

Nga ana e saj zonja Pelosi tha: “Ishte përsosmërisht e gabuar. Ishte rryshfet”.

Të enjten, Presidenti Trump vazhdoi të sulmonte hetimet si “një mashtrim”. Ndërkaq, udhëheqësi i republikanëve të pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy hodhi poshtë dëshmitë e paraqitura në seanca si thashetheme dhe informacion të dorës së dytë.

Në thelbin e tij, hetimi për shkarkimin e presidentit ka të bëjë me telefonatën e Presidentit Trump në muajin korrik me Zelenskiy-n që fillimisht tërhoqi vëmendje kur një kallëzues anonim paraqiti një ankesë.

Në bisedën telefonike të korrikut, zoti Trump kërkoi një “favor”, sipas një versioni të dhënë nga vetë Shtëpia e Bardhë. Ai shprehu dëshirën që Ukraina të hetonte demokratët dhe rivalin e tij Joe Biden, kandidat për zgjedhjet presidenciale të 2020-s. Më vonë u zbulua se administrata po ia vononte ndihmën ushtarake Ukrainës./Voa/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu