Vdekja tragjike e një boksieri bullgar ditën e shtunë në Shkodër, nga tragjike po shndërrohet shumë shpejt në një “triller”. Sipas mediave bullgare, personi që ka ndërruar jetë pas një ataku kardiak gjatë dyluftimit në ring kundër shqiptarit Ardit Murja nuk mund të jetë bullgari Isus Velichkov por një person tjetër, me emër Boris Stanchov, që nuk ka asnjë historik në atë disiplinë sportive.
Sipas burimeve bullgare, Stanchov ka përdorur licencën e Velichkov, me lejen e këtij të fundit, si dhe me kartelën shëndetësore të tij. Gjendja shëndetësore e viktimës nuk ishte e mirë, gjithmonë sipas këtij rrëfimi, sepse ai ra përtokë thuajse qysh nga goditja e parë.
Shumë pikëpyetje mbeten për t’ u sqaruar, nga motivi i shkëmbimit, deri tek gjendja e vërtetë klinike e viktimës, në atë që në qoftë se konfirmohen dyshimet mund të jetë një skandal i madh për boksin.