Trupat amerikane nga Siria zhvendosen në Irak, jo në SHBA

0
26

Të gjitha trupat amerikane që tërhiqen nga pjesa veriore e Sirisë, do të zhvendosen në pjesën perëndimore të Irakut, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper.

Sipas planeve të tanishme, Esper tha se rreth 1,000 ushtarët amerikanë do të jenë në gjendje gatishmërie në rast se paraqitet kërcënim nga rigrupimi i militantëve të Shtetit Islamik.

Esper nuk e përjashtoi mundësinë që forcat amerikane të kryejnë misione kundër terrorizmit nga Iraku në Siri. Por, ai u tha gazetarëve se detajet do të përpunohen me kalimin e kohës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë më herët se këto trupa do të kthehen në shtëpi.

Trump, megjithatë, shkroi në Twitter se “ushtarët amerikanë nuk janë në zona luftimesh apo armëpushimi”.

Njoftimi i tij, rreth dy javë më parë, për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria i ka hapur rrugë një ofensive të ushtrisë turke kundër milicive kurde në veri të Sirisë.

Turqia i konsideron këto milici si terroriste dhe i do larg kufirit të saj, ndonëse ato kanë qenë aleate kyçe të SHBA-së në luftën kundër Shtetit Islamik.

Ofensiva që ka zgjatur tetë ditë, ka lënë qindra njerëz të vrarë dhe të plagosur dhe mijëra të tjerë të zhvendosur.

*Video: Kontradiktat e aksionit të Turqisë në Siri

Një marrëveshje për armëpushim pesëditësh është arritur të enjten, për t’iu mundësuar milicive kurde të tërhiqen rreth 30 kilometra larg kufirit.

Të dyja palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, paralajmëroi se do të rinisë ofensivën nëse milicitë kurde nuk tërhiqen plotësisht deri të martën mbrëma.

“Nëse (armëpushimi) funksionon, funksionon. Nëse jo, sapo të kalojnë 120 orë nga armëpushimi, do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë. Do të vazhdojmë t’i shtypim kokat e terroristëve”, tha Erdogan.

Zyrtarë të lartë amerikanë e kanë kritikuar ashpër vendimin e presidentit Trump për tërheqjen e trupave nga veriu i Sirisë.

Sipas disa kritikëve, vendimi i Trumpit ka qenë “tradhti” ndaj kurdëve, që kanë qenë aleatë kryesorë të SHBA-së në luftën kundër Shtetit Islamik, dhe shumë prej tyre kanë shprehur shqetësimin se mijëra ekstremistë të këtij grupi, që aktualisht mbahen nga milicitë kurde, do të mund të ikin.

Expose: Fitorja e Turqisë

Sipas një zyrtari amerikan, i cili ka folur në kushte anonimiteti, disa qindra ushtarë amerikanë tashmë janë larguar nga Siria.

Në një tjetër zhvillim, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, dhe një grup i ligjvënësve amerikanë kanë arritur në Jordani për bisedime me Mbretin Abdullah.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Jordani, Petra, raportoi se Mbreti Abdullah, në takim me amerikanët, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së integritetit territorial të Sirisë dhe të kthimit “të sigurt dhe vullnetar” të refugjatëve./REL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu