Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se kartelet meksikane të drogës “duhet të fshihen nga faqja e dheut”, pasi që pjesëtarët e një bande dyshohet se masakruan nëntë gra dhe fëmijë amerikanë në veri të Meksikës.
Ministri meksikan i sigurisë beson se anëtarët e një karteli të drogës me sa duket ngatërruan makinën e viktimave me atë të një bande rivale të drogës.
“Nëse Meksika ka nevojë ose kërkon ndihmë për pastrimin e këtyre përbindëshave, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme, të vullnetshme dhe të afta të përfshihen dhe të bëjnë punën shpejt dhe në mënyrë të efektshme,” shkroi presidenti Trump. Ai u ofrua të ndihmojë Meksikën “të luftojë” kundër karteleve.
Por, presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrado, refuzoi një qasje të tillë, duke theksuar se qeveria e mëparshme meksikane provoi një zgjidhje ushtarake dhe “kjo nuk funksionoi”.
“Gjëja me e keqe është që të kesh luftë”, tha ai.
Presidenti Lopez Obrador foli në telefon me presidentin Trump të martën.
“E falënderova për gatishmërinë e tij për të na mbështetur dhe e njoftova se institucionet e qeverisë së Meksikës do të veprojnë për të siguruar që drejtësia të vihet në vend”, shkroi presidenti meksikan.
Prita ndodhi të hënën në një zonë të thellë të shtetit verior të Sinaloa të Meksikës, ku karteli Sinaloa ka zhvilluar një luftë të gjatë dhe të përgjakshme me bandat rivale të drogës.
Viktimat janë anëtarë të familjes LeBaron, qytetarë amerikanë që themeluan një komunitet fondamentalist Mormon dekada më parë në rajonin kufitar.
Familja po udhëtonte në tri makina për të vizituar të afërmit. Një grua po udhëtonte për të takuar burrin e saj në aeroportin e Phoenixit në Arizona të Shteteve të Bashkuara.
Kur personat e armatosur hapën zjarr, disa prej fëmijëve ikën. Një grua u hodh nga makina duke ju përgjëruar sulmuesve që të mos qëllojnë sepse ata janë të paarmatosur dhe të pafajshëm. Ajo u qëllua me gjakftohtësi.
Disa nga plumbat qëlluan njërën nga makinat, duke bërë që të shpërthejë rezervuari i karburantit duke djegur një grua dhe katër fëmijë, përfshirë binjakët 8 muajsh.
Disa nga fëmijët arritën të ikin dhe të fshihen ndonëse më plagë në trup. Autoritetet meksikane i gjetën dhe i dërguan në një spital aty afër.
Ndonëse autoritetet meksikane thanë se familja ishte viktimë e ngatërrimit, pjesëtarët e familjes thanë se sulmuesit e dinin qartë se kë e kishin vënë në shënjestër.
Familja LeBaron ishte për disa vjet në konflikt me bandat e drogës. Benjamin LeBaron, ishte vrarë në vitin 2009, dhe disa anëtarë të tjerë të komunitetit Mormon në Chihuahua gjithashtu janë shënjestruar nga trafikantët e drogës.
Ish ambasadorja amerikane në Meksikë, Roberta Jacobsen, i tha rrjetit MSNBC se persona të pafajshëm vriten zakonisht nga banditët e karteleve. “Reagimi i pjesëtarëve tyë karteleve është shpesh i tillë që së pari qëllojnë e më pas pyesin se kush ishte përfshirë”, tha zonja Jacobsen./VOA