Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
E. D., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale;
H. H., banues në Durrës, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim;
F. H., banuese në Durrës, e dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim;
T. H., banues në Durrës, i akuzuar për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Instalim i pajisjeve interceptuese”, “Ndalim i komunikimeve informatike ose telematike” dhe “Konspiracion penal me synim aksesin e paautorizuar në sistemin e informacionit”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
Burimi: top-channel.tv