Që pas heqjes së masave kufizuese në Shqipëri është rritur ndjeshëm numri i të infektuarve dhe viktimave si pasojë e koronavirusit ku ditën e sotme u shënua një tjetër rekord prej 90 të infektuarish.
Ish deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo ka denoncuar keqmenaxhimin e situatës nga qeveria, ku sipas tij tashmë ata kanë lejuar shtimin e infektimeve.
Në një deklaratë për mediat ai shprehet se situata po menaxhohet politikisht dhe jo profesionalisht.
Tavo i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve përgjegjëse që të shtojnë gatishmërinë e stafeve mjekësore dhe të ndjekin me seriozitet udhëzimet e OBSh-së.
“Lëreni propagandën e konsumuar e dalë boje dhe politikat me regji por mbroni jetën e shqiptarëve” – shprehet ai.
Deklarata e plotë e Vangjel Tavos:
Situata e Pandemisë COVID-19 në të cilën ndodhemi është tërësisht kaotike dhe jashtë kontrollit. E gjitha një e trajtuar si një shoë dhe komedi ndërkohë që tashmë është shndërruar në një dramë të cilën po e vuajnë shqiptarët dhe vendi. Propaganda se qeveria po e përballon më së miri dhe se Shqipëria ka arritur sukses të jashtëzakonshëm është e rremë. Dhe këtë e dinë më mirë se kushdo stafi mjekësor që prej muajsh punon në frontin e parë pa mjetet e duhura mbrojtëse, por edhe shqiptarët dhe mospërputhja e shifrave të të infektuarve të shpallura nga qeveria. Sot, në dalje nga pandemia, rastet e deklaruara janë shumë herë më të larta se sa në pikun e saj. Në pikun e saj më 2 prill, kemi pasur 27 dhe kemi arritur të kemi deri në 90 raste. Dhe për shkak të këtij menaxhimi të keq e të papërgjegjshëm, lajmet që na vinë nga personeli mjekësor janë njëri më i dhimbshëm se tjetri. Ka raste edhe në spitalin e traumës. Kjo është alarmante. Personeli mjekësor u la dhe vazhdon të mbetet pa mbrojtje.
Qytetarët e thjeshtë që në fillimin e kësaj beteje u sollën në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme. Duruan madje edhe kufizime ekstreme të panevojshme. Toleruan akte normative anti-kushtetuese të nxjerra nga qeveria apo urdhra nga facebook-u i kryeministrit. Por në mungesë të plotë transparence dhe profesionalizmi qeveria ka lejuar shtimin e rrezikshmërisë ndaj qytetarëve shëndetit publik. Dhjetëra sugjerime u janë dërguar këtij kryeministri, me të gjitha mënyrat e mundshme, me të gjitha mundësitë e komunikimit, nga këto foltore, nga mundësi të tjera komunikimi, pa u lodhur, dhjetëra propozime dhe sugjerime konstruktive profesionale në emër të ndërgjegjes shoqërore, në emër të profesioneve, të gjitha të refuzuara.
E gjithë situata është menaxhuar politikisht dhe jo profesionalisht. Specialistët u lanë në hije ndërsa propagandistët me papërgjegjshmëri venë në rrezik jetën e qytetarëve. Në këtë situatë alarmante i apeloj Ministrisë së Shëndetësisë të organizojë në gjendje gatishmërie jo vetëm stafin mjekësor aktiv por edhe ata mjekë dhe infermierë në pension e madje edhe studentët e viteve të fundit të mjekësisë, të dëgjojë rekomandimet e specialistëve, të ndërtojë bashkë me ta një stretegji solide në përputhje me direktivat e OBSh, të shtojë numrin e testimeve, pasi mungesa e transparencës dhe neglizhenca në mos bërjen e testeve rezikon jetën e qytetarëve, dhe të sigurojë të gjitha pajisjet mbrojtëse për bluzat e bardha, të cilët kanë qenë e do mbeten gjithmonë heronjtë e heshtur të këtij vendi. Lëreni propagandën e konsumuar e dalë boje dhe politikat me regji por mbroni jetën e shqiptarëve.