Në arsimin shqiptar, sidoemos në atë të lartë pas çdo nisme, vendimi, urdhëri, apo zbatimi, ndodhin çudira të mëdha, aq sa nuk kuptohet dot as arsyeja logjike, aq më pak t’i shpjegosh dhe t’i zgjidhësh problemet e shumta me të cilat përballet ky sektor.
Një e-mail po qarkullon në mediat online, ku thuhet se Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë iu kërkon pedagogëve të mos penalizojnë studentët me rezultate shumë më të ulëta se në provimet e mëparshme për shkak të situatës nga COVID-19 dhe mënyrës së re të zhvillimit të mësimit, duket se u është drejtuar drejtuesve të universitetit, rektorëve dhe dekanëve.
MASR kujton rekomandimet e UNESCO, OECD, UNICEF, që të kihet një kujdes i shtuar në lidhje me vlerësimin e studentëve duke sugjeruar “shmangien aty ku është e mundur të vendosjes së rezultateve më të ulëta për shkak të situatës”.
Në lidhje me këtë e-email të pazakontë, disa pedagogë pohojnë se nuk janë në dijeni, por urdhëri mund t’u jetë dërguar strukturave drejtuese, por jo atyre në veçanti.
Ato e kanë cilësuar një e-mail të tillë si të shëmtuar, nëse është i vërtetë, dhe se do të ishte habi nëse ministria do të niste një mesazh të tillë.
Duke marrë në konsideratë autonominë, pikërisht këtu qëndron paradoksi më i madh. Përse duhet pedagogët të shqetësohen, nëse urdhri është që të bëhen tolerime këtë vit, që të mos ngelin studentë.
Për uljen e cilësisë, që mos diplomohen studentë të dobët, për standartin e prishur, nëse ka një të tillë?!
Autonomia e universiteteve, sa i përket vlerësimit të studentëve është e tëra në duart e atyre, sikurse paralelisht ajo që kishin prokurorët dhe gjyqtarët deri dje me drejtësinë. Por ndodh që studentët shpesh në çdo fakultet të mbeten me qëllim që t’i nënshtrohen ryshfetit.
Dhe përderisa kjo nuk është parandaluar as nga qeveria dhe as nga drejtësia, për hir të autonomisë së universiteteve, nuk ka asgjë për t’u çuditur as me urdhërin nëse është dhënë dhe as me mënyrën sesi do të zgjedhin pedagogët të vlerësojnë këtë vit studentët e tyre. E sigurtë është se studentët do ta pësojnë.
Mesazhi që po qarkullon për të cilin nuk ka asnjë reagim, as nga rektorati as nga ministria nëse ekziston është i tillë:
“Përshëndetje të nderuar Profesorë, Uroj të jeni të gjithë mirë! Meqenëse studentët e vitit të fundit në përgjithësi janë duke zhvilluar provimet e sezonit të Korrikut, po ju sjell në vëmendje kujdesin që duhet të jetë më i shtuar në lidhje me vlerësimet (notat) e provimeve përkatëse.
Në të gjitha rekomandimet e organizatave ndërkombëtare, si UNESCO, OECD, UNICEF, rekomandohet që të kihet një kujdes i shtuar në lidhje me vlerësimin e studentëve, duke pasur parasysh situatën dhe mënyrën e re të zhvillimit të mësimit.
Pavarësisht mënyrës së ndryshme të zhvillimit të mësimit, rezultatet e provimeve duhet të jenë të ngjashme me periudhat e mëparshme. Nuk do të ishte e drejtë që studentët të penalizoheshin me rezultate shumë më të ulëta se në provimet e njëjta në vitet e mëparshme, ose në krahasim me semestrat e mëparshëm në lëndë të tjera. Duke qenë se këta student janë të njëjtë si në semestrat e mëparshëm, duhet të shmangim aty ku është e mundur vendosjen e rezultateve më të ulëta për shkak të situatës.
Për shkak të kohës së shkurtër në mes dhënies së provimit dhe publikimit të rezultateve, procesi i vendosjes së notave mund të zgjatet disi, duke përfshirë dhe krahasime me vitet e mëparshme të së njëjtës lëndë, në mënyrë që shpërndarja e notave të jetë e ngjashme me periudhat e mëparshme”, – thuhet në mesazhin për pedagogët.