Si mund të përfitoni pension pleqërie kur nuk keni vitet e plota në librezë – Lajmi i Fundit

0
Gjigandi

Të gjithë shtetasit që janë të interesuar të aplikojnë për të përfituar pension pleqërie nga shteti shqiptar duhet të kenë parasysh moshën dhe vitet e punës me kontribute. Por jo në pak raste, vitet e punës me sigurime nuk mund të dokumentohen e si pasojë edhe masa e pensionit caktohet më e ulët nga ana e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. “Gazeta Shqiptare” publikon sot hapat që duhet të ndjekin individët që kanë humbur librezën e punës, në mënyrë që të përfitojnë një pension më të lartë.
DokumentacioniIndividi që mendon se mund të përfitojë pension pleqërie duhet të bazohet te kriteret, mosha dhe vitet me kontribute. Domosdoshmërish duhet të ketë dokumentin që vërteton moshën, e cila duhet të jetë mbi 60 vjeç e 10 muaj për gratë e mbi 65 për burrat. Tashmë është më e thjeshtë për ta verifikuar vërtetësinë e moshës, pasi vetë ISSH ka akses mbi regjistrin themeltar të shtetasve.

Megjithatë, qytetari duhet të dorëzojë një fotokopje të kartës së identitetit, e në rastet kur pretendon të marrë kompensime të tjera që i bashkëngjiten pensionit, duhet të dorëzojë edhe dokumente të tjera si certifikata familjare për të verifikuar pjesëtarët e familjes. Kur individi mendon se ka 40 vite punë, duhet të paraqesë librezën e punës dhe dokumentin që vërteton pagat që ka marrë nga 1 janari i 1994 e deri më sot.
Për të gjithë ata që kanë punuar pas 1 janarit të vitit 1994 e deri më sot, listëpagesat janë grumbulluar në arkivën e sistemit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, që funksionon edhe sot. Ndërsa për periudhat kur individi ka punuar para vitit 1994, shërben libreza e punës dhe nuk është e nevojshme të sjellë vërtetime page.
Hapat që ndiqen kur humb libreza e punësKur individi humb librezën e punës, ai duhet të paraqitet pranë ISSH-së, madje edhe në rastet që ende vazhdon të punojë me kontribute. Në këtë rast, personi bën një kërkesë deklarative në të cilën jepen të dhënat individuale të personit, paraqitet historiku i të gjitha punëve që ka bërë i siguruar.Dhe pas kësaj duhet, të shpjegojë që vetë personi të fjalë kërkon të pajiset me një dokument të ri ku të konfirmohen të gjitha vitet e punës që individi ka kryer. Para se të përllogaritet masa e pensionit, punonjësit e sigurimeve shoqërore shumëzojnë të gjitha pagat që nga dita e fillimit të punës deri sa qytetari ka ndërprerë punën me disa koeficiente që janë të përcaktuara nga vendimi i Këshillit të Ministrave.
Shumëzimi bëhet me koeficientin 8.59 për periudhat deri më 31 dhjetor 1993, pastaj vazhdon me koeficiente të ndryshme për çdo vit, deri sa ka ndërprerë marrëdhëniet e punës. Nëse nuk arrihet që të gjenden 5 vite punë që nuk janë shënuar në librezën e punës apo nuk gjendet as libreza, mund të kërkohet libri i pagave.
Por, për këtë mjafton të jetë çdo dokument zyrtar: siç mund të jetë një dokument kontabël apo një fletë emërimi. Organet e sigurimeve shoqërore janë të detyruara ta marrin kërkesën deklarative dhe të vënë në dijeni qytetarin që duhet të presë jo më shumë se 60 ditë, derisa të bëhen të gjitha verifikimet e nevojshme mbi të gjitha punët që ka bërë personi. Rastet që përbëjnë pak problem janë kur individi ka punuar në ndërmarrje ku dokumentet janë djegur si Kombinati “Josif Pashko”, miniera e Valiasit etj., që nuk kanë regjistra themeltarë.
Në këtë moment, kur nuk ka mundësi për t’u zgjidhur problemi në mënyrë administrative, qytetari duhet të drejtohet në gjykatë. Merr një vërtetim negativ pranë ISSH-së që mungojnë dokumentet dhe mbledh të gjitha provat, përfshirë këtu edhe dëshmitarët. Gjykata është i vetmi organ që konfirmon dhe vërteton kohën dhe të qenit apo jo në marrëdhënie pune.
Dokumenti, pra libreza e punës mund të vlerësohet si e pasaktë në ato raste kur ka ndërhyrje, falsifikim datash, korrigjime vulash apo dublikatë libreze. Në momentin kur ka dublikatë të librezës së punës, me siguri ka një “ngërç” e menjëherë duhet të verifikojnë regjistrat themeltarë, borderotë, apo listëpagesat që të vërtetojnë faktin që individi ka qenë realisht në marrëdhënie pune. Pensionistët sot kanë ankesa që ndahen në disa kategori si ankesa për mungesën e dokumentacionit si dhe ankesa për mënyrën teknike të llogaritjes së pensionit.
Përllogaritja e masës së pensionitAktualisht për vitin 2019 mosha e daljes në pension sipas nenit 43, për gratë është 60 vite e 10 muaj pasi rritet për çdo vit me 2 muaj deri në vitin 2056, që arrin në 67 vjeç. Ndërsa për burrat 65 vjeç (mosha fillon rritet që nga viti 2033 me nga 1 muaj në vit për të arritur në 67 vjeç në vitin 2056.Ndërkaq, vjetërsia e plotë kontributive për të dyja gjinitë është 35 vite e 8 muaj, e cila rritet me 4 muaj në vit për të arritur me 40 vite në vitin 2029. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Ndërkohë, shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social.
Ndërsa shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas ligjit. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit.
Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994 si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 01.01.1994.
Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1.1.2016 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese sipas llojit të punës, ose funksionit përpara datës 01.01.1994 si edhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 01.01.1994 deri në 31.12.2015, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2015 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës. Koeficientet e indeksimit sipas viteve përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Koeficienti i indeksimit para vitit 1994, aktualisht është 8,59.
Procedura
Individi duhet të paraqitet pranë ISSH-së edhe në rastet që ende vazhdon të punojë me kontribute.Personi bën një kërkesë deklarative në të cilën jepen të dhënat individuale të personit, paraqitet historiku i të gjitha punëve që ka bërë i siguruar.
Pas kësaj, duhet të shpjegojë që vetë personi në fjalë kërkon të pajiset me një dokument të ri, ku të konfirmohen të gjitha vitet e punës që individi ka kryer.Organet e sigurimeve shoqërore janë të detyruara ta marrin kërkesën deklarative dhe të vënë në dijeni qytetarin që duhet të presë jo më shumë se 60 ditë, derisa të bëhen të gjitha verifikimet e nevojshme mbi të gjitha punët që ka bërë personi.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu