Mimoza Hafizi profesoresha që synon të rrëzojë Rektorin Mynyr Koni nga froni

0
Gjigandi

Në studion e emisionit “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja ishte e ftuar profesoreshë Mimoza Hafizi. Profesoresha është një nga kandidaturat për rektor në Universitetin e Tiranës dhe gjatë fjalës së saj në studio, shpalosi të gjithë vizionin e saj, vështirësitë që ndodhet universiteti dhe sfidat që do ta presin nëse zgjidhet në krye të këtij institucioni.

Denis Dyrnjaja: Çfarë ju shty drejt këtij vendimi, për të garuar dhe për të marrë drejtimin e universitetit.
Mimoza Hafizi: Më shtyu përgjegjshmëria. Unë jam pjesë e këtij universiteti në moshë fare të re dhe ndjej për detyrë që për këtë institucion duhet kontribuar dhe unë këtë kandidim e shikoj si pjesë e një kontributi, kontributit tim që gjatë gjithë jetës e kam dhënë në forma të tjera këtë herë e vendosa ta jap përmes një kandidimi për rektore.
Denis Drynjaja: Në njoftimin tuaj që bëtë publik përmes rrjeteve sociale thoni se universiteti është marrë peng nga një klan prej gati dy dekadash. Në fakt do të doja t’ju pyesja njësoj si politikë, është tepër e vështirë që të tillë establishmente të çahen. Si do ta çani këtë lloj klani që zotëron universitetin prej 20 vjetësh.
Mimoza Hafizi: Unë jam mjaft e ndërgjegjshme që është e vështirë, por kjo nuk më ka bërë që të hezitoj për t’u futur në këtë betejë. Në fakt ka ja dy tre muaj që janë hapur, zgjedhjet janë zvarritur siç e dini dhe unë kam qenë shumë e vëmendshme duke parë se çfarë po ndodh dhe kam ndjekur me vëmendje nëse do të kishte ndonjë kandidaturë tjetër, le të themi e profilit tim dhe jashtë këtyre klaneve që e kanë sunduar universitetin prej 20 vitesh. Kjo është dhe arsyeja që nuk kam kandiduar më parë, por e lash në momentin e fundit kur ministrja e Arsimit i shpalli zgjedhjet, në një mënyrë mjaft të beftë dhe nuk kisha kohë për të pritur. Por ishte një mendim i pjekur, kam hyrë me bindje të plotë, në një betejë që më pëlqen jashtëzakonisht sepse është një betejë të cilën unë e njoh, e njoh arsimin e lartë, njoh universitetin tim dhe e di çfarë dot ë shpreh në këtë fushatë. E bëj me shumë dëshirë dhe besoj do të kem aleancën e shumë shumë pedagogëve të cilët janë po ashtu si puna ime, me të njëjtat tipare, njerëz të përkushtuar, me idealizëm shkencor , me ndershmëri profesionale, me vlera të cilat në Universitetin e Tiranës nuk mungojnë, por nuk janë në fasadë dhe nuk duken dhe kjo është për të ardhur keq.
Denis Drynjaja: A do të inicionit një hetim masiv për korrupsionin në universitet, për të bërë po themi një pastrim të mykut korruptiv, që ka degraduar cilësinë por edhe besueshmërinë e dijes dhe të notës.
Mimoza Hafizi: Korrupsioni do të jetë një nga dukuritë më të palejueshme në Universitetin e Tiranës, nuk është absolutisht në atë shkallë sa është perceptimi, sepse unë e njoh situatën shumë mirë. Por ka qenë imazhi, sigurisht ka pasur dhe raste reale, por imazhi vjen jo vetëm nga çfarë mund të denoncohet nga disa studentë, por imazhi vjen nga ajo që ka ndodhur në gjithë betejën 10-vjeçare, 20-vjeçare, midis personave të ndryshëm në universitet, për të pasur influencën në financimet e universitetit, për të orientuar, ka qenë një lloj korrupsioni i një shkalle që e ndeshim dhe në politikë. Pra këtu sigurisht kjo është detyrë e organeve shtetërore për të hetuar gjithçka ç’a mund të ketë ndodhur me abuzimet e financimeve në Universitetin e Tiranës. Por është ajo që thoni ju, që student duhet të ndihet absolutisht i mirëtrajtuar në universitet, vlerësimet duhet të jenë të drejta dhe çdo shfaqje që e cënon këtë parim, sigurisht që do të jetë e dënueshme në akte dhe në frymë.
Denis Dyrnjaja: Përse unë nëse do të isha student në Universitetin e Tiranës ose një koleg i juaji, duhet t’u votojë ju për rektore të Universitetit të Tiranës. Çfarë do të sillni ndryshe përveç faktit që ju thoni që do të prodhojmë një frymë të re. Kjo është pak a shumë parimore, por çfarë njerëzit duhet të shohin tek ju.
Mimoza Hafizi: Unë besoj që njerëzit më njohin për integritetin, për besueshmërinë, për faktin që kam qenë gjithmonë një person luftarak, kur kam marrë përsipër kauza dhe kauzat e mia unë i çoj deri në fund pa devijuar nga parimet e mia. Kështu që besoj se për nga besueshmëria, kjo do të jetë një cilësi që do t’i bëj njerëzit të më votojnë. Përpos kësaj dhe karriera ime akademike dhe shkencore ka qenë mjaft e mirë dhe besoj që kjo karrierë mund t’i bëjë krenare edhe njerëzit që do të më shohin në krye të këtij universiteti.

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu