Si e paraqiti Turqia sulmin në Siri si një përpjekje mbarë-islamike

0
22

Ndërsa Turqia njoftoi muajin e kaluar operacionin e saj ushtarak në Sirinë verilindore, zyrtarët turq thanë se operacioni do të “parandalonte krijimin e një korridori terrori” përgjatë kufirit jugor të Turqisë me Sirinë. Megjithatë, brenda vendit mysliman mesazhi u vesh edhe me një tipar fetar – ofensiva u përshkrua si një luftë islamike ndaj të “pafeve”.

Disa ekspertë dhe vëzhgues të vendit thonë se mesazhi fetar i qeverisë turke është një përzierje e ideologjisë dhe propagandës që synon të promovojë ambicien e Presidentit Erdogan që dëshiron të shihet si udhëheqësi dhe mbrojtësi i botës myslimane.

Ndërsa njoftonte operacionin më 9 tetor, zoti Erdogan shkruajti anglisht në Twitter se operacioni i ushtrisë turke dhe militantëve aleatë sirianë ishte të “neutralizonin rreziqet terroriste” kurde ndaj Turqisë dhe të krijonin një zonë të sigurtë për rikthimin e refugjatëve sirianë. Në mesazhet e tij në gjuhën turke dhe arabe, ai i përshkruajti forcat ushtarake si “heronjtë e Ushtrisë Muhamedane”, një term që e ka prejardhjen nga Perandoria Osmane.

Pas disa ditësh të operacionit, zoti Erdogan e përkufizoi atë në terma fetare në disa fjalime publike, duke pretenduar se synonte mbrojtjen e dinjitetit të “unmah”-s, ose ndryshe, botës myslimane. Gjatë një fjalimi tek takimi i grupit të Partisë për Drejtësisë dhe Zhvillim (APK) më 29 tetor, ai i lavdëroi rebelët sirianë të mbështetur nga Turqia si “xhihadistë që madje intimidojnë dhe vrasin edhe vetë vdekjen”.

Aykan Erdemir, një ish-ligjvënës turk që tashmë punon tek Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se zoti Erdogan, që nga krijimi i partisë AKP në vitin 2001, është munduar t’i paraqitet Perëndimit si një reformator demokratik liberal, ndërsa ka promovuar një ton fetar brenda vendit.

“Ripërkufizimi i debateve për politikat laike në kuadrin e retorikës së islamit politik është një nga strategjitë që ka përdorur Erdogani për të forcuar hegjemoninë e tij ideologjike”, thotë zoti Erdemir, duke shtuar se retorika mund të përdoret si një mjet efikas për krijimin e opinionit shoqëror.

“Deri më sot, ai ka vazhduar të përdorë zhargonin islamik për të ushqyer besnikët brenda dhe jashtë vendit, ndërsa përdor një retorikë të kuruar për audiencat perëndimore”, i tha zoti Erdemir Zërit të Amerikës.

Më 25 tetor, pas faljes të së premtes në një xhami në Stamboll, zoti Erdogan mbajti një fjalim ku citoi Kuranin dhe u tha besimtarëve se Allahu u premton fitoren myslimanëve dhe i urdhëron ata të bëhen të ashpër ndaj “të pafeve”.

Operacioni në Siri u urdhërua nga Zoti

Justifikimi fetar për ofensivën ndaj forcave të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara nuk u kufizua vetëm tek fjalimet e Erdoganit.

Në mbarë xhamitë e Turqisë, departamenti i çështjeve fetare Diyanet, organizoi falje dhe recitime të kapitullit të Kuranit “Pushtimi”, duke e transmetuar atë me altoparlantë. Mediat kryesore turke, ndër to edhe Agjensia shtetërore Anadolu, transmetojnë klerikë islamikë që u thonë besimtarëve se operacioni në Sirinë verilindore ishte i udhëruar nga Zoti.

Media pro-qeveritare shpërndau dhjetëra postime ku shfaqen myslimanë nga mbarë bota që recitojnë kapitullin “Pushtimi” të Kuranit, në mbështetje të ushtrisë turke.

Abdullah Bozkurt, autor turk dhe drejtor i Rrjetit Kërkimor dhe Monitorues Nordik, i tha Zërit të Amerikës se përdorimi i institucioneve fetare vazhdon ta ndihmojë Erdoganin për mobilizimin e mbështetësve të tij, në veçanti bazën e vendosur fetare që është jetësore për mbijetesën e tij politike.

Zoti Bozkurt thotë se duke përdorur simbolet fetare dhe komunitetet islamike, zoti Erdogan shikon edhe mundësinë të fitojë simpatinë e grupeve të diasporës turke dhe të myslimanëve joturkë në Perëndim.

“Ai mendon se kjo e ndihmon të fitojë avantazh dhe të forcojë pozicionin e tij në negociatat me hartuesit e politikave në Perëndim. Kjo është më e dukshme kur Erdogani udhëton drejt kryeqytetit amerikan dhe kryeqyteteve evropiane, ku ai takohet gjithmonë me personalitete myslimane dhe fetare në takime publike për të mbajtur mesazhe me tone fetare”, i tha zoti Bozkurt Zërit të Amerikës.

Michael Rubin, studiues me Institutin Amerikan të Sipërmarrjes, paralajmëron se përdorimi i vazhdueshëm i fesë nga zyrtarët turq për të justifikuar politikat e tyre, mund të krijojë një seri problemesh me të cilat shoqëria turke ndoshta do të përballet për vite të tëra.

“Pas 16 vite erdoganizmi, një brez i tërë fëmijësh turq të indoktrinuar në shkolla dhe ushtarakësh e kanë ndryshuar rrënjësisht Turqinë”, thotë zoti Rubin, duke shtuar se strategjia ndoshta do të ndikojë edhe marrëdhëniet e Turqisë me vendet perëndimore që janë të shqetësuara për drejtimin që ka marrë Turqia.

“Për ata që e kanë vëzhguar Erdoganin, kjo është shumë shqetësuese”, thotë zoti Rubin. Ai shton se mesazhi mbarë-islamik shpesh përdoret për të nxitur goditjen e Perëndimit, në veçanti kur interesat përputhen gjatë zhvillimeve si në Sirinë verilindore.

Mbjellja e përçarjes

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kanë kritikuar operacionin e Turqisë ndaj forcave kurde. Presidenti amerikan Donald Trump është zotuar të vendosë sanksione të ashpra dhe Bashkimi Evropian ka kufizuar eksportet e armëve drejt Turqisë, si reagim ndaj ofensivës ushtarake në Siri.

Në përgjigje, zyrtarët turq kanë akuzuar Perëndimin se po komploton të përçajë botën myslimane dhe të shpërndajë konflikt mes vendeve myslimane, për të përfituar nga pasuritë e tyre kombëtare.

Gjatë një konference për shtyp të shtunën në Antalia të Turqisë, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha se operacioni në Siri shmangu një komplot të Perëndimit për të krijuar një “shtet terrori” në Sirinë verilindore, përmes fuqizimit të forcave kurde.

“Një grup vendesh të udhëhequra nga Izraeli donin të vendosnin një shtet terrori në Sirinë veriore dhe ne ua prishëm planet”, tha zoti Cavusoglu gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Hadi Soleimanpour, këshilltar në Ministrinë e Jashtme të Iranit dhe sekretar i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik.

Ministri i Brendshëm turk Suleyman Soylu ka bërë komente të ngjashme kundër Perëndimit, që sipas tij është “zotuar të eliminojë Islamin dhe popujt e tij nga këto vise”.

Max Hoffman, një ekspert për Turqinë në Qendrën për Progresin Amerikan në Uashington, thotë se retorika e zyrtarëve turq për Perëndimin, reflekton një ndryshim thelbësor në pikëpamjet e tyre për influencën e SHBA-së në botë.

“Më gjerë, ai dhe rrethi i tij i afërt besojnë se bota është shumëpolare dhe se SHBA-ja është në rënie. Ata duan që Turqia të jetë një fuqi më vete”, thotë zoti Hoffman, duke shtuar se ky perceptim e ka shtyrë zotin Erdogan të përqafojë një përqasje marrje-dhënieje me SHBA-në dhe Evropën, si dhe të kultivojë lidhjet me Iranin, Kinën dhe në veçanti Rusinë.

Ndërsa zoti Erdogan pritet të vazhdojë kultivimin e mbështetjes fetare, zoti Hoffman tha nuk ka gjasa që kjo politikë të shkaktojë “islamizimin e Turqisë”.

“Qëllimi i zotit Erdogan për të ngritur një ‘gjeneratë të përkorë’ ndoshta po kthehet kundër, dhe sidoqoftë nuk është realizuar. Por, nëse shoqëria si e tërë duket se është bërë më pak fetare, ekzistojnë patjetër shqetësime në Turqi për pjesë të popullsisë që mund të jenë bërë gjithjnë e më radikale në pikëpamjet e tyre. Personalisht, dyshoj se shoqëria turke do të zhvendoset në këtë drejtim”, i tha zoti Hoffman Zërit të Amerikës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu