Ata mund të mos jenë njerëz të gjelbër. Ata mund të mos vijnë me anije kozmike. Por, sipas llogaritjeve të reja, në Galaksi mund të ekzistojnë mbi 30 civilizime inteligjente që kanë mundësi të komunikojnë me të tjerët.
Ekspertët thonë se puna e tyre jo vetëm që ofron pikëpamje për gjasat e jetës jashtë planetit tonë, por mund të hedhë dritë mbi të ardhmen tonë dhe hapësirën në kozmos, shkruan “The Guardian”.
“Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe tërheqëse, sepse për herë të parë ne vërtet e kemi një vlerësim për numrin e civilizimeve inteligjente me të cilat do të mund të kontaktonim dhe të zbulojmë nëse ka jetë diku tjetër në univers”, tha Christopher Conselice, profesor i astrofizikës në Universitetin e Nottingham-it dhe bashkautor i hulumtimit.
Në vitin 1961, astronomi Frank Drake e propozoi atë që u bë i njohur si Ekuacioni Drake, duke i caktuar shtatë faktorë që duhet të bëhen të njohur për ta gjetur numrin e civilizimeve inteligjente. Në mesin e këtyre faktorëve përfshihet numri mesatar i yjëve që formohen brenda vitit deri te koha që nevojitet që një civilizim të dërgojë sinjale të dallueshme.
Megjithatë, pak prej këtyre faktorëve janë të matshëm.
“Vlerësimet sipas Ekuacionit të Drake variojnë nga zero deri në disa miliardë civilizime. Ai është më tepër si një vegël për të menduar rreth pyetjeve, sesa diçka që është zgjidhur”, shtoi Conselice. Ekipi i hulumtuesve thotë se civilizimi ynë duhet të mbijetojë për së paku 6,120 vjet të tjerë në mënyrë që të ketë mundësi për komunikim të dyanshëm me ndonjë civilizim tjetër. “Ata do të ishin goxha larg…llogaritja jonë është 17,000 vjet drite për civilizimin më të afërt”, tha profesori.
Profesroi Andrew Coates nga Kolegji Universitar i Londrës, tha se rezultati i këtij studimi është interesant, por ai nuk do të mund të vërtetohet duke i përdorur teknikat e tanishme.