Garda Civile e Spanjës ka arritur të shkatërrojë një organizatë kriminale të trafikut të drogës dhe të pastrimit të parave në Valencia, duke arrestuar gjithsej 22 persona.
Të prangosurit janë me origjinë shqiptare, rumune dhe spanjolle, të moshës nga 35 deri 55 vjec. Në operacionin, të quajtur ILIRICO / VILLAJUANA, janë sekuestruar 2600 bimë narkotike të llojit marijuanë, u zbuluan 6 plantacione të mbjella me drogë, 150 mijë euro të gatshme dhe bizhuteri me një vlerë 30 mijë euro, shkruajnë mediat spanjolle.
Policia e Spanjës bën me dije se këta persona kishin lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe se mund të kemi të bëjmë me një organizatë të mirfilltë kriminale, e drejtuar prej shqiptarëve, e që trafikonin lëndën narkotike jashtë Spanjës.
Agjentët shkëmbyen informacione me Zyrën e Ekspertit të Sigurisë të Drejtorisë Qendrore të Shërbimeve Antidrogë të Italisë dhe me DEA të Shteteve të Bashkuara. Këta institucione kanë dërguar proces-verbale sesi anëtarët e klanit mafioz edhe më herët ishin arrestuar për vepra të ngjashme kriminale. Sipas hetuesve, grupi kishte një hierarki të përcaktuar dhe gjithcka ishte e strukturuar.
Policia zhvilloi njëkohësisht kontrolle në 17 shtëpi në pjesë të ndryshme të krahinës së Valencisë (València, Torrent, Ontinyent, Ribarroja dhe Xàtiva, ndër të tjera) dhe rajonit të Murcias.