Shtetet e Bashkuara e ndryshuan pozicionin e tyre ndaj vendbanimeve hebraike që ka ndërtuar Izraeli në Bregun e pushtuar Perëndimor, duke mos i parë më ato si shkelje e ligjit ndërkombëtar.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se statusi i Bregut Perëndimor duhet të negociohet nga Izraeli dhe palestinezët.
Vendbanimet janë komunitete të krijuara nga Izraeli në tokën e pushtuar gjatë luftës së vitit 1967 në Lindjen e Mesme.
Ato kanë qenë prej kohësh burim i mosmarrëveshjeve midis Izraelit dhe palestinezëve, por edhe Izraelit dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Rreth 500,000 hebrenj jetojnë në rreth 140 vendbanime të ndërtuara që nga okupimi izraelit i Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit Lindor.
Vendbanimet konsiderohen të paligjshme me ligjin ndërkombëtar, edhe pse Izraeli e kundërshton këtë.
Vendimi i ri i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, është përmbysje e politikës që ka ndjekur paraardhësi i tij, Barack Obama.