Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi të enjten një rezolutë që vë në lëvizje zyrtarisht procesin përmes së cilit komisionet do të vazhdojnë hetimin për të përcaktuar nëse Presidenti Trump duhet të përballet me shkarkim.
Votimi ishte përgjatë linjave partiake, 232-196 për hetimin e shkarkimit, me të gjithë republikanët kundër rezolutës dhe dy demokratë që u bashkuan me ta.
Menjëherë pas votimit, presidenti Trump e quajti hetimin e për shkarkimin e tij në Twitter , “Gjuetia më e madhe e shtrigave në historinë amerikane!”
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham lëshoi një deklaratë ku thuhet se presidenti “nuk ka bërë asgjë të keqe” dhe e quajti procesin “të padrejtë, antikushtetues dhe thelbësisht jo-amerikan”.
“Nancy Pelosi dhe fiksimi i palëkundur i demokratëve me këtë procedurë të paligjshme të shkarkimit nuk dëmton Presidentin Trump; kjo dëmton popullin amerikan,” tha ajo.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi kishte kundërshtuar prej kohësh hapjen e një hetimi për shkarkimin e Presidentit, por është kthyer ashpër kundër Trumpit dhe bëri thirrje për miratimin e rregullave të procedurës së shkarkimit. Ndërsa debati u hap të enjten, ajo tha se “askush” nuk vjen në Kongres për të fajësuar një president, “përveç rastit nëse veprimet e tij rrezikojnë që ne të nderojmë betimin që kemi bërë kur kemi marrë këtë detyrë.”
Republikanët kishin kërkuar me javë të tëra që demokratët e mazhorancës të votonin për të autorizuar hetimin kundër presidentit republikan, por ndërsa votimi u afrua, ata e sulmuan procesin si një përpjekje për të justifikuar ato që ata pretendojnë se ishin seanca të dyshimta të mbajtura deri tani.
Një nga mbështetësit më të fortë të presidentit, ligjvënësi Jim Jordan, e quajti hetimin “një proces të padrejtë partiak”, dhe sulmoi faktin se emri i informatorit të komunitetit të inteligjencës që çoi në këtë proces nuk është zbuluar.
Informatori është cilësuar nga agjencitë e lajmeve si një punonjës i Agjencisë Qendrore të Zbulimit që dikur punonte në Shtëpinë e Bardhë. Ai ishte zyrtari i parë që shprehu shqetësime se Presidenti Trump në fund të korrikut kishte bërë presion ndaj Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy për të hapur hetime në lidhje me një nga rivalët kryesorë të Trumpit, ish-nënpresidentin Joe Biden, punën e djalit të tij Hunter Biden me një kompani ukrainase të gazit natyror dhe për çfarëdo lidhje që Kievin mund të kishte në përpjekjet për të mposhtur Presidentin Trump në zgjedhjet e vitit 2016.
Deri tani, komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Marrëdhëniet me Jashtë dhe Mbikqyrjen kanë dëgjuar dëshmi me dyer të mbyllura nga diplomatë dhe zyrtarë të tjerë, ndërsa hetojnë nëse duhet votuar që zoti Trump të shkarkohet se ka nxitur një vend të huaj, Ukrainën që të gjejë informacion dëmtues për një rival politik me qëllimin për të shtuar shanset për rizgjedhjen e vet.
Rezoluta bën thirrje për mbajtjen e seancave publike dhe më pas Komisioni i Zbulimit t’i dorëzojë një raport me përfundime dhe rekomandime Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, që do t’i rekomandojë gjithë Dhomës së Përfaqësuesve nëse duhet mbajtur votimi për shkarkim apo jo.
Komisionet do të dëgjojnë të enjten dëshminë e Timothy Morrisonit, që ishte këshilltari kryesor i zotit Trump për çështjet ruse dhe evriopiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare deri të mërkurën kur dha dorëheqjen.
Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve thanë të mërkurën se duan të dëgjojnë edhe dëshminë e ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, John Bolton dhe kërkuan që ai të dëshmojë javën e ardhshme.
Disa dëshmitarë të tjerë kanë thënë se zoti Bolton ishte thellësisht i shqetësuar se avokati personal i zotit Trump, Rudy Giuliani, po punonte pas skenave për t’i bërë presion Ukrainës që të hetonte demokratët dhe kandidatin demokrat për president, Joe Biden duke e akuzuar për korrupsion. Nuk ka asnjë provë se një akuzë e tillë është e justifikuar.
Kritikët thonë se zoti Giuliani po bënte “politikë të jashtme në hije” pas shpinës së Departamentit të Shtetit. Sipas dëshmive, zoti Bolton e kishte krahasuar atë që po bënte zoti Giuliani “një pazar droge” dhe se ai nuk donte absolutisht të kishte të bënte me veprimet e tij.
Zoti Trump e shkarkoi zotin Bolton muajin e kaluar pas mosmarrëveshjeve për disa çështje, përfshirë Ukrainën.
Një nga personat që dëshmuan të mërkurën, eksperti i Ukrainës Christopher Anderson, tha se zoti Bolton i kishte thënë të kishte kujdes në komunikimet me zotin Giuliani, i cili sipas tij mund të ndërlikonte përpjekjet diplomatike për të përmirësuar lidhjet mes Uashingtonit dhe Kievit.
Një tjetër zyrtare e Departamentit të Shtetit, Catherinë Croft tha se ajo kishte marrë telefonata të shumta të pashpjegueshme nga Robert Livingston, një ish-ligjvënës republikan amerikan i kthyer në lobist, ku i thoshte asaj se Marie Yovanovitch, ambasadorja amerikan në Ukrainë, duhet të pushohej nga puna.
Ajo tha se zoti Livingston e cilësoi ambasadoren Yovanovitch si një “mbështetëse të Obamës” dhe “të lidhur me George Soros”, një përkrahës i njohur i kauzave liberale dhe demokratëve amerikanë kundër Presidentit Trump.
“Nuk ishte e qartë për mua në atë kohë, dhe as tani – në drejtimin e kujt ose me shpenzimet e kujt zotin Livingston po kërkonte largimin e ambasadores Yovanovitch”, tha zonja Croft.
Administrata Trump në fillim të këtij viti thirri ambasadoren Yovanovitch nga Ukraina, disa muaj para se të përfundonte mandati i saj dhe e shkarkoi atë. Ajo i ka thënë komisioneve hetimore për shkarkimin e Presidentit se u pushua nga puna për shkak të “pretendimeve të pabaza dhe të rreme nga njerëzit me motive të dyshimta”.
Ndërkohë në Senat, i emëruari nga Presidenti Trump për t’u bërë ambasadori i ri në Rusi, John Sullivan, tha në seancën për konfirmimin e tij se e dinte se zoti Giuliani kishte rol në përpjekjet për të shkarkuar ambasadoren Yovanovitch.
I pyetur nëse një president duhet t’i kërkojë një qeverie të huaj të hetojë kundërshtarët politikë, zoti Sullivan u përgjigj se “nuk mendoj se kjo përputhet me vlerat tona”.
Zoti Trump e ka quajtur hetimin për procesin e shkarkimit një gjueti shtrigash dhe një sajesë. Ai e ka përshkruar telefonatën me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, në qendër të hetimit si “të përkryer”.