Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper ka arritur në Bagdad në një vizitë të paparalajmëruar, teksa Shtetet e Bashkuara janë duke tërhequr trupat e tyre nga verilindja e Sirisë në Irak.
Esper pritet të takohet me ministrin irakian të Mbrojtjes, Najah al-Shammari dhe kryeministrin, Adel Abdul Mahdi më 23 tetor, pasi ushtria irakiane ka thënë se trupat amerikane që po largohen nga Siria nuk kanë leje që të qëndrojnë në Irak.
“Të gjitha trupat amerikane që janë tërhequr nga Siria kanë siguruar autorizim për të hyrë në Kurdistan të Irakut, në mënyrë që të largohen nga Iraku”, ka thënë një komandant irakian.
Mirëpo Esper nga thënë teksa ka qenë në Arabinë Saudite se trupat e ripozicionuar do të qëndrojnë “përkohësisht” në Irak, para se të kthehen në SHBA.
Shefi i Pentagonit fillimisht u ka thënë gazetarëve se të gjitha trupat amerikane që largohen nga Siria do të shkojnë në perëndim të Irakut dhe se ata do të vazhdojnë të kryejnë operacione kundër grupit militant, Shteti Islamik (IS).
Shtetet e Bashkuara kanë rreth 5,200 trupa në Irak, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar kundër IS-it.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka marrë vendim më herët gjatë këtij muaji për të tërhequr të gjithë 1,000 trupat amerikane nga verilindja e Sirisë.
Mirëpo Pentagoni ka thënë më vonë se Uashingtoni është duke konsideruar mbajtjen e disa trupave në këtë shtet për t’u siguruar se militantët e IS-it dhe të tjerët nuk përfitojnë nga zonat e naftës në këtë rajon.