Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shkruan se kryeministri Edi Rama po projekton dhe vjedhjen e fundit, siç ka qenë dhe bilanci i punës së tij në këto 7 vjet, duke iu referuar projektit të rrugës Milot-Fier.
“Sot, përmes show-t me të cilin kërkon edhe të mbulojë dështimin e tij dhe futjen e vendit në krizën më të rëndë të 20 viteve të fundit, shpalosi projektin e Rrugës Milot-Fier. Ndonëse në një terren fushor dhe që piketon një distancë 136 km, përmes të cilës qeveria pretendon të shkurtojë kohën nga 120 minuta në 75 minuta, do të ketë koston e 1.2 miliardë eurove. Autostrata që lidh Kroacinë me Bosnje-Hercegovinën, e financuar nga BE, ka një kosto prej 1,29 milionë euro për 1 km, një shifër 7 herë më e ulët se sa kostoja e PPP-së për rrugën Milot-Fier. Ironikisht, Rruga e Kombit, për të cilën kryeministri Rama ishte kundër dhe e anatemoi vazhdimisht, e gjatë 114 km dhe ka shkurtuar një distancë prej 8 orësh në afro 2 orë, përshkon një terren malor, ka tunele, ura e përforcime të tjera, ka pasur një kosto prej 1,38 miliardë eurosh”, shkruan Tabaku.
Sipas Tabakut bilanci i Ramës për ndërtim rrugësh dhe investime në infrastrukturë është inekzistent.
“Sot, ai ka shpalosur një projekt grabitqar, por që ia kalon të gjitha grabitjeve të mëparshme. Edi Rama do të mbahet mend si i vetmi kryeministër që ka hapur tendera e ka dhënë koncesione, por kurrë nuk i ka zbatuar ato. Do të mbahet mend si Kryeministri i projekteve të florinjta, pasi vetëm rrugë nuk mund të quhet ajo listë dëshirash që janë duke tenderuar. Kjo sjellje kriminale ka një efekt të jashtëzakonshëm në buxhetin e shtetit dhe në borxhin publik, kur deri më sot kontratat e lidhura shkojnë në një vlerë prej 13% e PBB. Dallimi është mëse i qartë për të gjithë. Shqiptarët janë sot në mes të një krize ekonomike, parashikimi i BERZH është se Shqipëria do të ketë një rënie ekonomike prej 9% të PBB”, thekson Tabaku.