Premier League e ka bërë një tjetër hap drejt rinisjes së sezonit 2019/20, pasi klubet votuan unanimisht për lejimin e kontaktit mes lojtarëve në seancat stërvitore, të cilat nisën javën e kaluar.
Qeveria britanike e dha, të hënën, dritën e gjelbër për zhvillimin e seancave stërvitore me karakter garues dhe me kontakt të afërt mes lojtarëve, ndërsa tani klubet e kanë miratuar këtë plan edhe formalisht në takimin që u zhvillua të mërkurën.
Në këtë takim, ku morën pjesë të gjitha klubet e Premierligës dhe bordi drejtues, u vazhdua kështu puna për rinisjen e sezonit, me synimin për t’u kthyer në fushën e blertë rreth gjysmës së muajit qershor.
Sezoni 2019/20 i Premierligës ishte pezulluar në mars për shkak të përhapjes së koronavirusit në botë, mirëpo klubet u kthyen në stërvitje javën e kaluar, por të detyruar t’i respektojnë udhëzimet për mbajtjen e distancës sociale mes vete.
“Skuadrat tani mund të stërviten në grupe dhe të bëjnë ndërhyrje, përderisa duhet t’i minimizojnë kontaktet e afërta të panevojshme”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Premierliga.