Për herë të parë që nga pas lufta është hapur korridori ajror ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, falë një marrëveshje që është arrit sot ndërmjet Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror(AShNA) dhe Albcontrol.
Kjo marrëveshje falë edhe mbështetjes së NATO-s, është vlerësuar si një e arritur e madhe ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për hapjen e trafikut ajror, që do të jetë e dobishme për të dyja vendet.Drejtori i AShNA-së, Bahri Nuredini tha se është arrit një letër-marrëveshje për hapjen e korridorit ajror ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës, që sipas tij marrëveshja është si pararendëse e takimeve të shumta të cilat janë udhëheq nga NATO-ja.
Nuredini pret që përveç shkurtimit të kohës së udhëtimit me aeroplan, do të ulet edhe kostoja e fluturimeve.
“Benefitet e funksionalizmit të këtij korridori janë të mëdha për pasagjerët, njëkohësisht edhe për aviokompanitë që do të kenë një kosto më të ulët në operimet vajtje ardhje, ku fluturimet nga Prishtina do të shkurtohen për 15 minuta”, theksoi Nuredini.
Drejtori i ASHNA-s po ashtu pret që sivjet të arrihen marrëveshjet për normalizim të trafikut ajror edhe me Malin e Zi dhe me Serbinë.
“Sigurisht NATO dhe KFOR-i kanë qenë shtytësit kryesor për t’u arrit kjo marrëveshje për normalizimin e hapësirës së ulët ajror me shtetet në rajon, në këtë rast edhe me Shqipërinë. Marrëveshja do të na mundësoj në hapat tjerë që kemi ne si AShNA për arritjen e marrëveshjes edhe me autoritetet e Podgoricës dhe Beogradit, ku besoj që së shpejti brenda vitit edhe këto dy marrëveshje të arrihen për hapjen e korridoreve ajrore me shtetet fqinje. Pra, Kosova pas një 21 vjetëve shpresojmë që të përmbyllë këtë proces sivjet dhe presim që Kosova të jetë pjesë e Ballkanit perëndimor për normalizimin e trafikut ajror”, tha ai.
Ndërsa, Dritan Gjonbalaj kryetar i Bordit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Shqipërisë tha se Republika e Shqipërisë si faktor i rëndësishëm rajonal ka bashkëpunuar me aleatët e saj për normalizimin e aviacionit në Ballkan, në veçanti për normalizimin e hapësirës ajrore me Kosovën. Gjonbalaj shpreson që kjo marrëveshje të mos mbetet vetëm në letër, por të zbatohet sa më parë.
“Aviacioni civil është goditur rëndë nga pandemia Covid-19, por kjo ngjarje e organizuar sot dëshmon që ne jemi më të fort se sfidat. Republika e Shqipërisë si faktor i rëndësishëm rajonal ka bashkëpunuar shumë me aleatët për normalizimin e aviacionit në Ballkan, e në veçanti për normalizimin e hapësirës ajrore me Kosovën. Ekspertët tanë kanë punuar me përkushtim që të arrihet kjo marrëveshje në koordinim të plotë me NATO-n dhe me mbështetje të pa rezervë të qeverisë shqiptare. Ne zotohemi, jemi të përkushtuar që kjo marrëveshje të mos ngelet në letër por të zbatohet shumë shpejt për hapjen e korridorit ajror midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”, tha Gjonbalaj.
Kujtojmë se që nga pas lufta i vetmi trafik ajror i hapur për aviacionin civil ka qenë ai me Maqedoninë Veriore.
Burimi: top-channel.tv