Paqartësia për rindërtimin/ Durrës, pas protestave të njëpasnjëshme banorët priten nga kryetarja e Bashkisë

0
Gjigandi

Paqartësia për procesin e rindërtimit po karakterizon shumë banorë të Durrësit të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Për të disatën herë, banorët e një pallati 12-katësh, të ndërtuar nga kompania “Dranova” shpk pranë ish-URT-së, kanë protestuar për të disatën herë mbi situatën e objektit të tyre. Këtë herë një përfaqësi e tyre është pritur nga kryetarja e Bashkisë Durrës, së cilës i kanë kërkuar një rivlerësim të shkallës së dëmit në pallatin e tyre, pasi janë klasifikuar në nivelin DS3 dhe jo DS4 siç është vlerësuar paraprakisht nga një akt ekspertimi i Institutit të Ndërtimit.

“Problemi ynë kryesor është kryerja e ekspertizës së thelluar për godinën dhe vijimi i trajtimit të familjeve me bonus për qiranë edhe pas lidhjes së kontratës për grantin me bashkinë për DS3. Nga ana e bashkisë, u tha se do të kryhet një preventiv nga studiot e liçencuara për të përcaktuar masën e dëmtimit dhe më pas do të ndërmerren veprimet e tjera”- u shpreh një banor.
“Katet e para kanë pësuar dëmet më të madhe. Muret janë përtokë. Ende nuk e kam të qartë pse na ka kaluar granti për DS3. Ato lekë nuk mjaftojnë as për t’i shembur muret, jo për t’i ndërtuar. Pallati ka dhe dëme të mëdha strukturore sipas Institutit të Ndërtimit. Edhe distancat nga pallati në pallat nuk janë respektuar. Më bën non sens e gjithë kjo”-shprehet një tjetër.
Ndërkohë prej dy ditësh në dyert e bashkisë vijon fluksi i personave të pakënaqur nga mospërfshirja në listën e përfituesve për grantin e rikonstruksionit. Brenda kësaj jave, ata kanë të drejtën të ankimojnë vendimin e miratuar në Këshillin Bashkiak, ndërsa për t’iu përgjigjur fluksit bashkia ka vendosur të verë në dispozicion të qytetarëve dhe sportele të tjera pranë njësive administrative ku ata banojnë.

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu