Mjeku Arben Gjata thotë se numrat e të prekurve me Covid-19 në vendin tonë janë shtuar pasi menjëherë pas karantinës qytetarët menduan se virusi iku dhe u treguan të pakujdesshëm.
I pyetur në A2 se sa rrezik paraqet hapja e transportit urban në shtimin e rasteve, mjeku Gjata u shpreh se klubet e natës janë ambientet ku ka më shumë rrezik përhapje të Covid-19.
“Në Tiranë ka djem e vajza të reja që qëndrojnë nëpër klube nate pa maska, që kërcejnë e këndojnë. Kjo histori është edhe në jug, me festa nëpër klube. Transporti urban e përhap shumë më pak virusin sesa këta të rinj e të reja që nuk mendojnë as për veten e vet, as për prindërit dhe as për shoqërinë”, tha ai.
Më tej, Arben Gjata është shprehur se duhet të ndërgjegjësohet popullata sepse vendi nuk mund të qëndrojë mbyllur me vite.
“Nuk mund të rrimë të mbyllur për vite derisa të largohet virusi. Duhet të mësohemi me normalitetin e ri dhe të respektojmë masat. Duke qenë se nuk e kaluam periudhën e tmerrshme të Italisë, ndërgjegjësimi i popullatës është shumë më i ulët. Nëse nuk mbajmë maskat, në vjeshtë dhe dimër mund të ndodhemi para situatave të papëlqyeshme”, tha Gjata.