Presidenti Ilir Meta dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi zhvilluan sot një takim në Presidencë. Takimi Meta-Ruçi nisi në orën 12:30 dhe përfundoi në orën 13:10.
Në fokus te diskutimeve mes tyre ka qenë raporti i fundit të Venecias për emërimet në Kushtetuese, ku Meta vetëm tre ditë më parë e ftoi zyrtarisht Ruçin të takohen.
Një njoftimin e lëshuar nga Presidenca thuhet se Presidenti Meta theksoi se pas publikimit të Opinionit të Komisionit të Venecias mbi procesin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, është tejet e rëndësishme që rekomandimet e Komisionit të vihen menjëherë në zbatim.
Duke ripërsëritur domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha institucioneve me qëllim ripërtëritjen dhe bërjen funksionale sa më parë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, Presidenti Meta shprehu gatishmërinë e tij të plotë për të nisur menjëherë punën për një interpretim unik të rekomandimeve dhe bashkërendimin për zbatimin kushtetues dhe ligjor të tyre.
Presidenti Meta theksoi edhe njëherë se, ky proces tashmë është nën monitorimin jo vetëm të Komisionit të Venecias, por edhe të Bashkimit Europian, Bundestagut gjerman, parlamentit holandez, danez, etj, vlerësimi i të cilëve do të jetë kyç për nisjen e procesit të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Këtij qëllimi duhet t’i shërbejë bashkëpunimi gjithëpërfshirës edhe për zbatimin e 15 kushteve të BE.
Kryetari Ruçi duke mirëpritur ftesën e Presidentit Meta për këtë takim dhe bashkëndarë të njëjtën pikëpamje mbi nevojën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, theksoi se e konsideron të papranueshme zvarritjen e ripërtëritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë nga institucionet e pavarura.
Kryetari Ruçi theksoi se, Kuvendi i Shqipërisë në rezolutat e miratuara gjatë raportimeve vjetore të organeve të qeverisjes së sistemtit të drejtësisë (KLGJ KLP), ka vendosur detyrimin e këtyre organeve për të plotësuar sa më shpejt të gjitha vakancat për në Gjykatën e Lartë.
Presidenti Meta dhe Kryetari Ruçi ranë dakord për nisjen e menjëhershme të punës nga ekspertët e të dy institucioneve për identifikimin e të gjitha çështjeve që kërkojnë trajtim urgjent dhe afat-mesëm, dhe dakordësimin e masave që do të duhet në ndërmerren në zbatim të tyre.
Ndërkohë dje kryeparlamentari Ruçi priti në zyrën e tij përreth 20 minuta ambasadoren Yuri Kim.
Kjo e fundit kërkoi angazhimin e parlamentit për të bërë sa më shpejt funksionale Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.
Pas përplasjeve mes Kuvendit, Presidenit dhe ish-Kreut të KED, kjo çështje ka mbetur pezull pasi ende nuk ka një listim të emrave, edhe pse prej muajsh Presidenti dhe Parlamenti i kanë nisur emrat e kandidatëve për vakancat.