Lajme, tituj bombastikë, më shpesh të pavërtetë e më rrallë të saktë, foto të turbullta, të zymta, paparacë në ndjekje, ndarje, ribashkim, bashkëjetesë. Gjithçka brenda këtyre “kodeve” ka përfshirë ajo që tashmë, zyrtarisht, është në dritën e diellit (të hënës në fakt, po të nisemi nga fotot) – dashuria e Jonidës dhe e Romeos. Ai që ia ka vjedhur zemrën prej kohësh dhe ajo që donte ta shijonte për vete këtë ndjenjë, pa dashur të ndihet e vëzhguar, e ndjekur, e përfolur… Po në fund të fundit, pse duhet fshehur një ndjenjë kaq e bukur sa kjo që po përjetojnë prej kohësh këngëtarja dhe aktori i njohur i humorit?
Vetëm një javë pasi Romeo u gjend sërish përballë fotos së partneres së tij “Në kurthin e Piter Panit” dhe ku, sërish, nuk foli dot pa kode, ja ku janë bashkë, më të lumtur se kurrë Romeo dhe Jonida. Nuk ishin lajmet e fundit që flisnin për një bashkëjetesë të çiftit ato që e “detyruan” Jonidën të tregojë me zë e figurë këtë moment magjik të jetës së saj, por ishte mesazhi që këngëtarja përcjell tashmë me këto foto, në krah të të cilave qëndron Romeo i zemrës.
Natyrisht, e përballur me lloj-lloj sfidash, lajme të rreme e çudira, shpeshherë edhe të pabesueshme, Jonida nuk e ka pasur të lehtë, por s’mund të jetë asgjë e pakapërcyeshme nëse ndiqni këto imazhe ndërsa ka pranë vetes atë.
Vetëm një natë pasi ironizoi bashkë me Romeon lajmet e fundit të publikuara në portale, Jonida është “dorëzuar” për të treguar se jetën, secili prej nesh e jeton si do. Kaq i thjeshtë dhe i thellë njëkohësisht është edhe mesazhi që mbartin këto foto të ëmbla nën dritën e hënës.
“Jeta ime nuk është perfekte, por dashuroj gjithçka që kam…” – shkruan Jonida dhe pas këtij mesazhi, ne të tjerët nuk kemi asgjë për të thënë apo jo?