Boksieri amerikan Floyd Mayweather, i pamposhtur në karrierën e tij (50 fitore e asnjë humbje), ka deklaruar sot se ka ende talent. Madje ai shtoi se mund të shpallet sërish kampion bote, pavarësisht se është 43 vjeç.
Mayweather nuk zhvillon një duel boksi që nga gushti i 2017-ës, kur mposhti Conor McGregor, ndërkohë që disa herë është përfolur për një rikthim të tij në ring. Madje edhe rivalët që e kërkojnë një duel me të janë të shumtë.
“E ndjej se mund të rikthehem në ring dhe të fitoj sërish tituj kampionë bote. Mund të zhvilloj duele të mira, por kjo kërkon kohë dhe një vend. Sot është koha që boksierë të tjerë të tregojnë se sa vlejnë”, tha Mayweather.
“Unë e pata kohën time, kur shkëlqeja dhe fitoja. Madje edhe sot unë jam një themel i këtij sporti. Kam dueluar për 24 vite dhe 20 vjet kam qenë kampion”, tha Mayweather.