Si shumë personazhe në botën e sportit, edhe Maxi Lopez është shprehur kundër racizmit ditën e martë, në kulmin e protestave për vdekjen në Minneapolis të George Floyd, afro-amerikani i vrarë nga një polic gjatë një kontrolli.
Megjithatë, pikërisht pas këtij qëndrimi, për ish-bashkëshortin e Wanda Nara-s, sot sulmues i Crotone-s, kanë ardhur akuza shumë të rënda.
Akuza që janë bërë nga Marcelo Benvenuta, mbrojtës i Botafogo-s. Braziliani, në fakt, ka rrëfyer një episod që ka ndodhur gjatë kohës që Maxi Lopez luante në Brazil me fanellën e Vasco da Gama:
“Më thoshte zezak m… Është lojtari më idiot me të cilin kam luajtur. Nuk i kam bërë asgjë gjatë ndeshjes dhe nuk kam folur me asnjeri për këtë. Kam ruajtur kontrollin, por kur jam kthyer në shtëpi, jam ulur dhe kam menduar: ‘Nëse do të luajmë përsëri kundër Vasco-s, do të dal me të kuq”.