Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi, hodhi poshtë deklaratën e kryeministrit Edi Rama se Këshilli e ka mbaruar mandatin dhe funksionin e tij pas marrëveshjes së 5 qershorit.
Ai theksoi se punimet e Këshillit Politik, që priteshin të diskutonin pas 30 qershorit çështje të tjera të mbetura pa u draftuar në kodin zgjedhor, u bllokuan nga nisma e socialsitëve për ndryshime kushtetuese.
“Janë një seri ndryshimesh të tjera të cilat duheshin dakordësuar nga Këshilli Politik, këtë mund ta kishim bërë pas 30 qershorit, pasi ishte një punë që kishte mbetur në fazën përmbyllëse, por veprimet e njëanshme e bllokuan Këshillin dhe kjo nuk është çështje e-mail-esh por e Edi Ramës, i cili kërkoi ta mbyllë pa e përmbyllur reformën zgjedhore,” – tha Bylykbashi.
“Këshilli Politik u krijua prej mungesës së legjitimitetit të parlamentit, nëse parlamenti do të ishte legjitim nuk do të ishte krijuar. Ai mori përsipër të kryente procesin më të rëndësishëm politik të kohës dhe ende ka detyrë të pambyllur. Marrëveshja politike e 5 qershorit është ende e paplotësuar, sepse ka ende çështje të diskutuara por jo të përmbyllura,” – u shpreh ish-deputeti i PD-së duke e cilësuar deklaratën e Ramës si një përpjekje për të dëmtuar më tej procesin.
Bylykbashi u shpreh se në 6 muajt e punës së Këshillit Politik PS-ja nuk shfaqi asnjëherë propozime apo qëndrime në favor të ndryshimit të sistemit zgjedhor, ndërsa opozita ishte e gatshme për ta diskutuar.
“Mirëpo dakordësia në fund ishte që sistemi zgjedhor do të diskutohej në një fazë të dytë pasi të përmbyllej procesi i reformës, sepse të ndryshosh sistemin do të thotë të ndryshosh Kushtetutën, pra do të vazhdonte në mënyrë konsensuale nëse do të bihej dakord për të parë se kush ishin alternativat, madje mund t’iu them edhe këtë, që kërkesat e opozitës parlamentare u diskutuan në këtë këshill dhe ekspertët i rrëzuan si jo në përputhje me Kushtetutën,” – u shpreh Bylykbashi duke këmbëngulur se situata e krijuar “është një lojë e Ramës për të zhbërë marrëveshjen për reformën”.
Demokratët e cilësojnë “gjest të rëndë” ndaj ndërkombëtarëve zhbërjen e marrëveshjes së cilën e ndërmjetësuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë.
“Nuk është vetëm lista [e kandidatëve], lista është vetëm një element, ai [Rama] po prish elementët ndërtues të sistemit zgjedhor për të krijuar rrëmujë në zgjedhjet e ardhshme. Ne do të shohim që ky sistem i deformuar që po prodhohet nga kjo marrëveshje, e cila praktikisht është një llojë reformë agrare zgjedhore, e cila nuk mund të jetë reformë zgjedhore. Një ndërhyrje brutale në Kushtetutë pikërisht në përvjetorin e ndryshimit kushtetues që sot tregon një dështim tjetër. Në një vazhdë ndërhyrjesh jokonsensuale Rama po cenon funksionimin e demokracisë në Shqipërisë dhe për këtë duhet të shqetësohen të gjithë,” – u shpreh Bylykbashi.
Gazetarja Esmeralda Mulaj citoi kryeministrin të thoshte se propozimi i tyre nuk cenon koalicionet parazgjedhore, mirëpo Bylykbashi tha se “heqja në Kushtetutë e koalicioneve parazgjedhore e bën të pamundur që koalicionet të regjistrohen si subjekte zgjedhore”.
“Qëllimi është ky [ndalimi i koalicioneve] ndërsa hapja e listës [së kandidatëve] është idioteske për ta arritur qëllimin kryesor, prishjen e koalicioneve. Pra t’u mohosh qytetarëve mundësinë që të kenë një ofertë politike të qartë dhe transparente përpara zgjedhjeve, dhe jo pas zgjedhjeve me pazare pas dyerve,” – këmbënguli ish-deputeti i PD-së duke u shprehur se koalicionet dhe listat e hapura nuk hyjnë në konflikt me njëra-tjetrën.
I pyetur se çfarë do të ndodhë sot, dhe çfarë pritshmërie ka PD-ja, Bylykbashi u shpreh se “Rama nuk ka më alibi për ta miratuar marrëveshjen e 5 qershorit dhe detyrimi është i tyre për ta kaluar atë pasi opozita e ka kryer detyrën”.
“Sigurisht ka elemente të tjera të cilat ishin për t’u dakordësuar në Këshillin Politik dhe Edi Rama duke thënë nuk ka më Këshill Politik, i bllokon ato, siç janë rekomandimet e OSBE/ODHIR-it për shitblerjen e votës, presionin mbi zgjedhësit apo administratën zgjedhore, mbi të cilën është diskutuar por nuk është draftuar gjë,” – u shpreh përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik.
Demokratët shprehen se pas miratimit të reformës zgjedhore të dakordësuar në Këshill më 5 qershor, socialistët do ta ndryshojnë atë me miratimin e ndryshimeve kushtetuese në një seancë tjetër.
“Dita e sotme është një farsë e shëmtuar, që është në funksion të grisjes së marrëveshjes së 5 qershorit nga Edi Rama, sepse ç’kuptim ka ta ndryshosh kodin dhe më pas ta rindryshosh atë me pretendimin se ndryshoi Kushtetuta,” – theksoi Bylykbashi.