Në periudhën e vetizolimit si pasojë e pandemisë globale të coronavirusit, artistë nga anembanë bota kanë zgjedhur platforma të ndryshme për të qenë të lidhur me fansat e tyre.
Këtu nuk kanë bërë përjashtim edhe këngëtarët shqiptarë, disa prej të cilëve kanë publikuar këngë të reja, të tjerët kanë kënduar drejtpërdrejtë përmes rrjeteve sociale, ndërsa të tretët i kanë interpretuar hitet e tyre nga sheshet e qyteteve nga vijnë.
Për të vazhduar me fushatën për të qëndruar në shtëpi dhe për të shmangur infeksionin eventual me COVID-19, yjet e skenës sonë i kanë argëtuar admiruesit e muzikës së tyre përmes ekraneve televizive.
Të dielën mbrëma, në kuadër të rubrikës “Festojmë nga shtëpia” të Klan Kosova, është shfaqur këngëtarja shumë e dashur për publikun, Leonora Jakupi.
Nga Sheshi “Adem Jashari” në Skënderaj, artistja e popullarizuar i ka interpretuar hitet e saj të shumta.