Pasi ktheu në Parlament ligjin për masat ndaj mediave gjatë kohës së karantinës, Presidenti Meta ka rezervuar një tjetër mesazh. Përmes rrjeteve sociale, kreu i shtetit shkruan se nuk do të dekretojë asnjë rregull të ri që prek të drejtat dhe liritë themelore në njeriut.
“Përkrah masat kufizuese objektive që ndihmojnë në përballimin dhe tejkalimin sa më parë të pasojave të pandemisë COVID-19. Por nuk do të dekretoj asnjë rregull të ri, që në shpërdorim të procesit legjislativ dhe përmes masave ndëshkuese shproporcionale, cenon liritë dhe të drejtat kushtetuese të njeriut, veçanërisht lirinë dhe pavarësinë e medias”, shkruan Kreu i Shtetit.
Më herët, Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për masat ndaj mediave televizive gjatë situatës së pandemisë së koronavirusit.
Ky ligj thotë Presidenca është kthyer pasi Kuvendi, duke miratuar aktin normativ nr.20, datë 20.05.2020, të Këshillit të Ministrave që paraqitet si një akt që “lehtësonte” masat kufizuese për jo më shumë se dy persona të pranishëm në një studio epidemie, në fakt përcakton një masë të rëndë administrative fikse, me gjobë 1 000 000 lekë të reja ose vendosjen e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, ndërkohë që gjendja e fatkeqësisë natyrore e shpallur me ligj, ka përfunduar vetëm 5 ditë pasi Kuvendi ka miratuar këtë akt.