Kampioni i botës në kategorinë e lehtë në UFC, Khabib Nurmagomedov, u ka bërë thirrje të gjithë bashkëfetarëve myslimanë të mos shkojnë për vizita dhe të mos pranojnë mysafirë gjatë kremtimit të Fitër Bajramit në fundjavë, për shkak të rrezikut nga pandemia koronavirus.
Khabib ka thënë se spitalet në vendlindjen e vet, republikën ruse Dagestan, janë të mbingarkuara me pacientë të sëmurë me koronavirus.
Ai njoftoi, po ashtu, se babai i tij vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, pas komplikimeve që ia ka shkaktuar Covid-19.
Khabib zbuloi se më shumë se 20 familjarë të vet kanë qenë në kujdes intensiv gjatë pandemisë, disa prej të cilëve kanë vdekur.
“Gjendja është shumë e rëndë. Shumë njerëz janë sëmurë dhe shumë të tjerë kanë vdekur”, tha Khabib në Instagram.
Khabib u ka bërë thirrje besimtarëve në Dagestan, vendi i dominuar me myslimanë, të qëndrojnë në shtëpi gjatë festës së Bajramit në fundjavë.
“Dijetarët islamikë po na thonë të falemi në shtëpi”, tha ai.
“Mos shkoni për vizita tek te tjerët, e as mos pranoni mysafirë”, shtoi ai.